Koronavirusi u kthye aty ku filloi – në Qendër Zhupë

Pas 110 ditëve, virusi Kovid-19 përsëri shfaqet në Komunën rurale Qendër Zhupë, aty ku për herë të parë u paraqit në vendin tonë. Më 26 shkurt u regjistruan dy pacientët e parë pozitiv me koronavirusin e rrezikshëm, nga të cilët – pas një kohë të shkurtër njëri nga pacientët humbi jetën.

Në njësinë e Entit për shëndet publik në Dibër informuan se pas më shumë se tre muaj e gjysmë, pozitiv me koronavirusin është edhe një grua e moshës së mesme nga fshati Papranik i Madh, në afërsi të fshatit Ballancë, aty ku u regjistruan edhe të sëmurët e parë nga ky virus.

Udhëheqësi i kësaj njësie, epidemiologu Mentor Mela ka informuar se pacientja tani ndodhet në shërim në Klinikën infektive në Shkup, ndërkohë që katër persona janë në izolim dhe priten rezultatet e testeve të tyre. Mela po ashtu thekson se kjo paraqitje e pacientes me koronavirus tregon se virusi vazhdon të jetë prezent, dhe prandaj popullata duhet patjetër të respektojë masat qeveritare për mbrojtje nga virusi.

Edhe paraqitja e shumë rasteve të reja pozitive në Dibër, thotë Mela, tregon se nuk respektohen sa duhet masat. Në fazën e dytë janë evidentuar deri sot 11 të prekur nga Kovid-19, kurse numri i të izoluarve është afro 50. Në të dyja komunat, nga fillimi i koronavirusit janë evidentuar 63 të sëmurë, kurse numri i atyre që ndërruan jetë nga ky virus është katër. (koha.mk)

Share this: