Koronavirusi po përhapet edhe në Afrikë, konfirmohen raste të reja në 6 shtete

Afrika është duke e përjetuar një përhapje të shpejtë të virusit Covid-19, ndonëse fillimisht ishte një prej kontinenteve më të paprekura. Gjashtë vende të reja tashmë i kanë konfirmuar rastet e para të koronavirusit.

Pas këtyre rasteve, nga koronavirusi tash janë prekur 25 nga 54 vendet afrikane. Shteti më i ri që konfirmoi person të infektuar me virusin e ri ishte Republika e Kongos.

Duket se temperaturat e larta nuk po paraqesin pengesë për mbijetesën e virusit. Në Kongo, temperatura sot është 33 gradë.

Rastet e para të infektimit u konfirmuan edhe në Guinenë Ekuatoriale, Mauritani, Namibi, Ruandë dhe Esëatini.

Të gjithë pacientët u infektuan përmes udhëtimeve nga vendet e tjera, njësoj si pothuajse të gjitha rastet e mëhershme që janë konfirmuar në Afrikë.

Qeveria e Republikës së Kongos e raportoi rastin e parë të koronavirusit dhe tha se personi i infektuar ka shtetësi franceze dhe është kthyer nga Parisi më 1 mars.

Nëse sëmundja përhapet brenda kontinentit, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se disa shtete me sisteme të brishta të shëndetësisë mund të përballen me shkallë më të lartë të vdekshmërisë së personave të infektuar.

Namibia i konfirmoi dy raste të personave që kishin ardhur nga Spanja. Për këtë arsye, ky shtet e anuloi ceremoninë e festimit të përvjetorit të pavarësisë.