Koronavirusi/ Po bën më mirë sesa vendet në izolim, suedezët vijojnë “të çmendin” botën


Plani i Suedisë për koronavirusin po “çmend” specialistë dhe liderë të mëdhenj.

‘Përse Suedia është më mirë se ne në krizën e koronavirusit – edhe pse nuk kanë mbyllur vendin?’

Kështu pyet gazeta më e madhe britanike, Daily Mail, duke hedhur dyshime mbi politikat e ndjekura deri më tani nga qeveria.

Suedezët thonë se kanë vendosur përgjegjësinë individuale të qytetarëve përpara shkatërrimit të ekonomisë dhe dëmeve të mëdha në shoqëri.

Të dhënat sugjerojnë se Suedia ka regjistruar së fundmi 53 raste për 1 milion banorë, kurse Britania në izolim ka 66 raste për 1 milion banorë. Madje para disa ditësh, diferenca ishte shumë më e madhe, 94 raste në Britani përkundrejt 44 në Suedi.

Të dhënat janë të krahasueshme edhe për shkak se të dy vendet kanë bërë thuajse një numër të barabartë testimesh për 1 mijë banorë. A është Suedia një shembull që duhej ndjekur? Tani janë të shumtë ata që do donin që Suedia të kishte dështuar, për të justifikuar këto masa ekstreme.

Daily Mail këtu thërret në ndihmë një ekspert britanik që thotë se për të zbutur kurbën, duhej thjesht distancim social dhe larje duarsh, pra higjienë personale.

Carl Heneghan, profesor i mjekësisë së bazuar te provat në Universitetin e Oksfordit, pretendon se të dhënat tregojnë se niveli i infektimeve u përgjysmua pasi qeveria nisi të nxiste njerëzit që të lanin duart dhe rekomandoi mbajtjen e distancës deri në dy metra.

Ai tha se më pas qeveria e humbi fillin dhe nxitoi të fuste vendin në karantinë gjashtë ditë pas këshillimit nga shkencëtarë që kanë rezultuar gabim në mënyrë të vazhdueshme gjatë krizës.

Profesor Heneghan lavdëroi Suedinë- e cila nuk zbatoi karantinën pavarësisht kritikave të ashpra. Por Suedia ka mbrojtur ekonominë, teksa më pak se 6 përqind kanë aplikuar për përfitimet e papunësisë. Në Britani kanë aplikuar një e katërta.

“Piku i vdekjeve në Britani ka ndodhur më 8 prill. Nëse e kupton se si funksionon, duhet të kthehesh mbrapa për të parë kur ishte piku i infeksioneve. Kjo do të thotë se ishte 21 ditë përpara kësaj dite, pikërisht pak para izolimit total”.

Profesor Heneghan thotë se me 21 ditë i referohet kohës që i duhet një personi të infektuar që të sëmurët rëndë dhe të humbasë jetën- tre javë mesatarisht. Ai thotë se qeveria ka pranuar se piku i vdekjeve ishte më 8 prill, çka do të thotë se kulmi i infeksioneve ishte 21 ditë më parë.

“Reduktimi me 50 përqind i rasteve ndodhi më 16 mars, pikërisht kur u prezantuan masat e larjes së duarve dhe distancimit social”.

“Nëse e sheh atë që po ndodh në Suedi, ata ruajtën nervat dhe shmangën një skenar apokaliptik”.