Numri global i rasteve të konfirmuara me koronavirus kaloi të hënën 40 milionë. Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins bazohen në raportimin zyrtar të vendeve veç e veç. Sipas tyre, numri i përgjithshëm i viktimave është mbi 1.1 milion, ndërsa i të shëruave mbi 27.5 milionë.
Ekspertët, megjithatë, besojnë se numri i vërtetë i rasteve dhe viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, marrë parasysh mungesën e testimeve dhe raportimin e dobët nga disa vende. Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar.
Që atëherë, ai është përhapur në gati 200 vende të botës. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 8.1 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 219,000 viktima. Në Evropë, Spanja prin me numër të të infektuarve: mbi 936,000, ndërsa Mbretëria e Bashkuar me numër të viktimave: mbi 43,000.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka aktualisht shkallën më të rëndë të infektimit në Evropë, me mbi 660 të infektuar në 100,000 banorë, gjatë 14 ditëve të fundit.