Zv/kryeministri Bujar Osmani në konferencën e sotme për tha se numri i lartë i të infektuarve me koronavirus ditëve të fundit vjen si pasojë e mosrespektimit të masave mbrojtëse. Osmani theksoi se për të vërtetuar korelacionin mes numrit të madh të personave të infektuar me ngjarje konkrete dhe me lehtësimin e masave duhet të zhvillohen studime shkencore.
“Sa i përket shkaqeve, nuk duhet të spekulojmë sepse për këtë duhet punime shkencore, që të lidhet epidemiologjia dhe të bëhet korelacion i ngjarjeve me pasojat. Të gjithë këto komentime janë të dëmshme sepse e qojnë temën drejt etnizimit dhe stigmatizimin e njerëzve, sepse kam thënë disa herë, nëse ka diçka që na tregon se sa jemi të ngjashëm dhe sa dallojmë, kjo është pikërisht pandemia. Vala e dytë nuk ndodh vetëm në disa zona, ndodh edhe në Shtip edhe në Karposh, në Qendër e në Çair, gjithkund ku nuk respektohen masat mbrojtëse”, pohoi Osmani.
Osmani numrin e lartë të rasteve aktive me koronavirus në Çair e arsyetoi me popullsinë e dendur në këtë komunë.
“Çairi është komuna me densësi më të madhe të popullatës në Evropë, bindshëm, në vendin e parë në Evropë, për shkak se në një kilometër katrorë jetojnë 19 mijë persona, respektivisht në 3.5 kilometra të komunës jetojnë 67 mijë persona, nënkuptohet se në një mjedis ku njerëzit janë më të shpërndarë , në ambiente nëpër fshatra mundësia për përhapje është më e vogël se sa në komunën me dendësi më të madhe në Evropë”, tha mes Osmani duke shtuar se është gabim që të stigmatizohen qytetarët dhe të lidhet përkatësia kulturore me shkakun e përhapjes së virusit.