Koronavirusi, më shumë të shëruar se sa të infektuar (VIDEO)

Për herë të parë që nga nisja e Pandemisë së COVID 19 numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve. 24 persona nga lista e të infektuarve, që kuroheshin në kushte shtëpiake, kalojnë në atë të të shëruarve, duke e çuar numrin e përgjithshëm 224.

Ndërkohë i vogël është edhe numri i të prekurve. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vetëm 7 raste të reja. 3 në Tetovë, 2 në Kumanovë dhe 2 në Koçan, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1231, në 20 qytete. Ndërsa një 70 vjeçar nga Labunishta ka ndërruar jetë si pasojë e gjendjes së rëndë nga Koronavirusi. Ministri Filipçe rezultatet që ditëve të fundit tregojnë trend ulje, i shpjegon me numrin e zvogëluar të testeve të bëra gjatë festave dhe shton se piku i të infektuarve ende nuk ka kaluar. Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 207 testime. Gjithsej në vendin tonë janë bërë 12340 testime.

“E dinim se do të ulet numri i testeve gjatë festave, kjo ishte e pritshme. Nuk dëshirojmë të bëjmë matematikë të thjeshtë me të cilën do të shumëfishojmë numrin e testeve pozitive duke e krahasuar me ato të ditëve të kaluara. Konsiderojmë se ende nuk kemi hyrë në periudhë për të cilën mund të themi se piku ka kaluar dhe të presim ulje të numrit të të infektuarve”- deklaroi Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë.

Ministri Filipçe informoi se ka përfunduar raporti i Institutit për Mjekësi Ligjore rreth rastit në Veles ku nënë e bir u gjetën të vdekur në një apartament dhe për të cilët dyshohej se kishin ndërruar jetë në fillim të janarit. Gruaja e vdekur kishte rezultuar pozitive në testin për virus korona, duke ngritur dyshimet për pranin e këtij virusi në vendin tonë, para se të diagnostikohej pacienti zero.

“Ka përfunduar ekspertiza e Institutit për Mjekësi Ligjore të dy personave që u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, nënë e bir. Në bazë të të gjithë analizave, gjendja e trupave, kushtet ambientale dhe të gjitha informacionet që morën mjekët e institutit, është konstatuar se vdekja ka ndodhur para 3 -4 javësh, pra në mars dhe jo në janar, siç ishte përmendur, për këtë arsye s’ka interes të bëhen hulumtime shtesë. Vazhdon puna për shkaqet e vdekjes, që nuk është lënde në interesin tonë”- pohoi Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë.