Koronavirusi ka lënë në udhëkryq semimaturantët

Gjendja e jashtëzakonshme me Covid 19 ka lënë në udhëkryq semimaturantët që akoma nuk kanë vendosur ku do të vazhdojnë shkollimin e mesëm. Si rezultat i mbylljes së shkollave, shumë prej nxënësve ankohen se nuk janë njoftuar mjaftueshëm për drejtimet e shkollave të mesme, posaçërisht për ato profesionale. Disa prej atyre që takuam tashmë kishin vendosur të regjistrohen në gjimnaz, mjekësi ose drejtimet për dizajn.

“Unë jam prej shkollës “Zhivko Brajkovski” edhe kam menduar të shkoj në dizajn në “Zdravko Cvetkovski”. Më pëlqen si drejtim. Është drejtim i mirë edhe ka shumë vende të punës”.

Edhe kujdestarët e klasave thanë se ky vit do të jetë shumë i vështirë për gjeneratën që përmbyll shkollimin fillor.

Unë shpesh herë edhe ua kam promovuar edhe ua kam propozuar të shkojnë në shkolla profesionale sepse e ardhmja zakonisht mbështetet nga profesionet sepse dihet tregu i punës dhe interesi -deklaroi Fitore Qirezi, mësimdhënëse e SHF “7 Marsi”.

Semimaturantët, për herë të parë këtë vit do të mund të regjistrohen edhe në gjimnazin e ri për Matematikë-Informatikë në Shkup.

Të gjithë nxënësve të shkëlqyeshëm në këtë gjimnaz do t’u jepet gjithashtu edhe bursë. Ndërsa, nxënësit që vijnë nga qytetet e tjera do të kenë akomodim falas me shpenzime të mbuluara nga Ministria e Arsimit – u shpreh Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Nxënësit të cilët duan të jenë pjesë e gjimnazit të ri do t’i nënshtrohen provimit pranues në lëndët matematikë dhe fizikë, më 2 dhe 4 qershor. Gjimnazi, për momentin është i vendosur në shkollën e ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski”.