Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka raportuar 64 raste të reja me koronavirus. Gjithashtu, dy persona të tjerë kanë humbur jetën. Numri më i lartë i të infektuarve është në Tiranë, 15 raste. Në Shqipëri, aktualisht janë 970 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
“U drejtohemi si çdo ditë, qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e vendosura, të mbajnë maskën kudo ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik, kurse bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara, për të ruajtur punonjësit por edhe qytetarët të cilëve u shërbejnë”-Eugena Tomini, Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri
Rritje e rasteve me Covid-19 ka edhe në Kosovë. Vetëm në 10 ditë, janë shënuar 844 raste të reja, 87 prej të cilave në 24 orët e fundit. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se situata me koronavirus në Kosovë “është nën kontroll të brishtë” dhe se klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë dhe se nuk ka më vende për njerëz.
“Jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që mos ta mbyllim komplet ekonominë si para tre muajve”- pohoi Avdulla Hoti, Kryeministër i Kosovës
Masat e reja, sipas Hotit, do të përfshinin reduktimin e punësimeve në institucione, mbylljen e bizneseve ku ka raste të paraqitura me koronavirus, mbajtjen në izolim të personave të infektuar dhe kontrollin e tyre, si dhe ndalimin e grumbullimit të mbi 100 personave në ambiente të hapura ose të mbyllura.
Në botë, numri i viktimave nga koronavirusi, ka kaluar 500,000, ndërsa numri i të infektuarve është tashmë mbi 10 milionë. Shifrat e fundit nga Universiteti Johns Hopkins, vijnë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të dielën për rekord të ri ditor të numrit të të infektuarve, mbi 189,000 në 24 orë.