Koronavirusi, bashkësitë fetare nuk heqin dorë nga ritualet

Në kohën e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, ritualet fetare sërish në qendër të vëmendjes. Përveç xhumasë, këtë të premte kanë festë edhe besimtarët ortodoks. Askush nuk heq dorë nga ritualet e kësaj fundjave, ndonëse numri i të prekurve me koronavirus është në rritje drastike ditëve të fundit.

Bashkësia Fetare Islame:

“BFI mbetet në qëndrimin se lutjet kolektive nëpër xhami duhet të bëhen, por sipas protokollit shëndetësor. Të gjitha masat janë valide dhe besimtarët mysliman patjetër duhet ti respektojnë.”

Nga Kisha Ortodokse Maqedonase thonë se Festa e Shpirtrave nuk ka manifestime kolektive apo tubime masive. Nuk bëjnë thirrje për anulimin e vizitave në varreza, por vetëm shtim të kujdesit.

Kisha Ortodokse Maqedonase:

“Ju apelojmë besimtarëve ortodoks se në vizitën e varrezave gjatë fundjavës të respektojnë rekomandimet shëndetësore në mbajtjen e distancës e maskave, si dhe mos të këmbejnë ushqime”

Gjatë pandemisë dy komunitetet më të mëdha fetare në vend kanë inkurajuar qytetarët që të mbajnë të gjitha ritualet e festave, pavarësisht rrezikut për përhapjen e Virusit Korona në vend. Festa e Pashkëve dhe e Shën Gjergjit, Falja e Xhumave dhe e Bajramit janë rastet kur u evidentuan shkelje flagrante grupimeve të njerëzve, të respektimit të distancës dhe mos mbajtjes së maskave./Adnan Qaili