Koronavirusi, 469 raste aktive në Maqedoninë e Veriut

Betejën me Virusin Korona dje e humbën edhe tre persona. Dy pacientë nga Tetova, një 74 vjeçar i hospitalizuar në Klinikën Infektive nga 21 maji dhe një 57 vjeçar në Spitalin “8 Shtatori” i shtrirë që nga 23 maji. Pacienti i tretë është 53 vjeçari nga Shkupi, të cilit pas vdekjes iu konstatua infektimi me CoVid-19. Nga 560 testet e bëra në 24 orët e fundit u regjistruan 38 raste të reja. Prej tyre 24 raste në Shkup, nga 4 në Shtip dhe Kumanovë, 3 në Tetovë, 2 në Negotinë dhe 1 në Manastir.

Ministria e Shëndetësisë:

“Numri më i madh i të prekurve është në Saraj 7, Butel 4, Çair dhe Haraçinë nga 3, Studeniçan dhe Shuto Orizare nga 2, ndërsa në Gazi Babë, Kisella Vodë dhe Kraposh nga një rast.”

 Oda Farmaceutike ndërkaq njoftoi se nga virusi korona ka humbur jetën punonjësi i parë shëndetësor.

 Oda Farmaceutike e Maqedonisë:

“Me pikëllim njoftojmë se dje ndërroi jetë farmacisti Petar Mojsoski nga fshati Podgorcë i Strugës. I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për të shtrënguar masat edhe nëpër barnatore me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Korona te mantel bardhët.”

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se dje u shëruan 16 pacientë. Të Infektuar nuk ka pasur nga 168 testet e skriningut të bëra në Shtëpitë e shëndetit publik në Shkup dhe Kumanovë. Numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur në 2077, ndërsa i të shëruarve 1486. Të vdekur ka 122 ndërsa rastet aktive 469.