Koronavirusi, 20 raste të reja në Shqipëri


Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës, dhe 1 rast në Kamëz.

Janë testuar 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste.

Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, tha se rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik.

“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes. Në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë”, u shpreh Cami.

Ajo tha se në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve.