Koreja e Veriut lëshon raketë balistike mbi Japoninë

Koreja e Veriut dyshohet se ka lëshuar një raketë mbi Japoni, në atë që duket të jetë një përshkallëzim i qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e Tokios dhe Washingtonit.

Raketa balistike udhëtoi rreth 4,500 km përpara se të binte në Oqeanin Paqësor – aq larg sa për të goditur edhe ishullin amerikan të Guam, nëse do merrte një trajektore tjetër, raportoi BBC-ja të martën.

Ky është lëshimi i parë i një rakete të Koresë së Veriut mbi Japoni që nga viti 2017.

Lëshimi bëri që Japonia të lëshojë një alarm të rrallë për disa qytetarë që të kenë kujdes të shtuar.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut të testojë armë balistike dhe bërthamore. Fluturimi i raketave drejt ose mbi vende të tjera pa ndonjë paralajmërim ose konsultim paraprak është gjithashtu në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

Shumica e vendeve e shmangin atë plotësisht, pasi mund të ngatërrohet lehtësisht si një sulm. Ndonëse nuk është aq e madhe sa një provë bërthamore – e cila mund të jetë e radhës, mund të konsiderohet jashtëzakonisht provokuese.

Njerëzit në veri të Japonisë duke përfshirë ishullin Hokkaido, thuhet se u zgjuan nga zhurma e sirenave dhe sinjalizimeve me tekstin që shkruante: Koreja e Veriut duket se ka lëshuar një raketë. Ju lutemi, evakuohuni në ndërtesa ose nën tokë.

Zyrtarët më vonë thanë se raketa balistike me rreze të mesme veprimi ra në Oqeanin Paqësor, larg Japonisë dhe nuk raportohet për ndonjë dëm.

Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida e përshkroi nisjen si “sjellje të dhunshme”, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada tha se Japonia nuk përjashton asnjë opsion për të forcuar mbrojtjen e saj duke përfshirë “aftësitë kundërsulmuese”.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson, e quajti atë një “vendim të rrezikshëm dhe të pamatur” që ishte “destabilizues” për rajonin.

Hedhja e raketës mbi Japoninë vjen pasi ky shtet, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë punuar së bashku për të forcuar mbrojtjen e tyre, në përgjigje të kërcënimit në rritje të paraqitur nga Veriu.

Javën e kaluar, të tri vendet kryen stërvitje detare së bashku për herë të parë që nga viti 2017. Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i sheh ato si provë se armiqtë e tij po përgatiten për luftë.