Kopja 400 vjeçare e Monalizës del në ankand javën tjetër


Një kopje identike e pikturës së famshme “Mona Lisa”, krijuar më shumë se 400 vjet më parë, pritet të dalë në ankand të martën e 9 nëntorit. Piktura origjinale e Leonardo Da Vinçit, të cilën mbreti francez Francois 1 e bleu nga vetë piktori në vitin 1518, gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris dhe nuk është në shitje.
Por një kopje thuajse origjinale, madje e padallueshme prej saj, që daton në vitin 1600, do të dalë në shitje nga shtëpia e ankandit “ArtCurial”. Paraprakisht “Mona Lisa” pritet të shitet 150 deri në 200 mijë euro.

“Mona Lisa është gruaja më e bukur në pikturë. Është padyshim piktura më e famshme në historinë e artit perëndimor. Ndaj çdokush flet për të. Është piktura për të cilën mund të flasësh edhe në radio, pa patur nevojë ta shohësh. Është piktura që i flet njerëzve nga Pekini në San Francisco”. Të gjithë e kuptojnë dhe e njohin Mona Lisën dhe secili prej nesh do ta donte një version aq të bukur sa origjinali i Mona Lisës. Edhe da Vinçi kishte fansat e tij sepse ai krijoi stilin e tij. Kishte ndjekësit, imituesit dhe mbi të gjitha sponsorë të fortë, që paguan që arti i tij të shitej shtrenjtë. Da Vinçi ishte artisti më i famshëm i periudhës së tij”, shprehet shtëpia e ankandit “ArtCurial”.
Në qershor të këtij viti, një koleksion europian bleu një tjetër kopje të Mona Lisës, të shekullit të 17 për shumën 2.9 milionë euro, një rekord për riprodhimin e një vepre kaq të famshme.