Kontrolli mbi çmimet e produkteve bazë – Zgjidhje vetëm ndryshimi i ligjit për TVSH-në

Tashmë në Kosovë ekziston Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Ky Ligj parasheh që disa produkteve t’iu vendoset çmimi tavan, ndër të tjera ky ligj parasheh që të ketë edhe kufizime në sasi për një produkt që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar.

Se a është i drejtë ky ligj, avokati Musa Demati, thotë se Qeveria e Kosovës, dhe çdo qeveri tjetër në botë e ka të drejtën për ta mbikëqyrur tregun dhe ekonominë në vend. Sipas avokatit politikat mbikëqyrëse nuk duhet të jenë kufizuese në raport me ekonominë e lirë të tregut dhe të jenë në harmoni me standardet e politik bërjes të vendeve të BE-së, sepse nëse ndodh ndryshe i bie shkelje ligjore dhe kushtetuese.

“Qeveria e Kosovës ashtu si edhe çdo qeveri tjetër demokratike në botë, e ka të drejtën për të mbikëqyrur tregun dhe ekonominë në vend, por se politikat mbikëqyrëse nuk duhet të jenë kufizuese në raport me ekonominë e lirë të tregut dhe se ato duhet të jenë plotësisht në harmoni me standardet e politik bërjes të vendeve te BE-se, në të kundërtën çdo kufizim apo kontroll i tepruar i tregut mund te konsiderohet shkelje ligjore dhe kushtetuese’, tha Demati.

Si mund të ndikojë ky Ligj në ekonominë e Kosovës
Burim Berisha, njohës i ekonomisë, mendon se ky Ligj do të kishte ndikimin dhe do t’i ndihmonte qytetarët nëse çmimi tavan do të ishte për produktet vendore.

“Ky Ligj ndoshta do ta kishte ndikimin me të madh nëse për produktet që është vendosur çmimi tavan do të ishin produkte apo prodhime vendor dhe në këtë rast qeveria duke e vendos çmimin i kish ndihmuar qytetarët dhe në anën tjetër për mos përballimin e kostos së prodhimit i kish subvencionuar këta prodhues dhe do të mbante një gjendje stabile me çmime”, tha Berisha. Ekonomisti shton se produktet për të cilat janë vendosur çmimet tavan janë shumica të importuara dhe nuk është se do të ketë ndonjë efekt në ekonominë e vendit.

“Produktet për të cilat është vendosur çmimi tavan janë shumica të importuara, siç janë drithërat, mielli, gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule,, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, si dhe lëndët e drurit për djegie, është shumë problem se do të ketë ndonjë efekt se shumica nga këto produkte pos që importohen, varen edhe nga çmimi i tyre në bursa ndërkombëtare dhe bursa e përcakton edhe çmimin, pa e përfshi transportin”, shprehet ai.

Zgjidhje ndryshimi i ligjit për TVSH-në
Tutje Berisha si zgjidhje e sheh vetëm e vetëm ndryshimin e ligjit për TVSH-në, që produktet bazë të kenë TVSH 0 për 3 muaj me mundësi vazhdimi.

“Ky ligj mund të jetë anti-kushtetues se pengon tregtinë e lirë. Më e mirë do të ishte ndryshimi i ligjit për TVSH, që këto produkte bazë të kenë TVSH 0 për 3 muaj me mundësi vazhdimi dhe zgjerimi të artikujve se kjo formë”, pohon Berisha. Kujtojmë se në votim e këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës morën pjesë 64 deputetë, të cilët ishin të gjithë pro, asnjë votë nuk ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, qëllimi i këtij Ligji është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit. Projektligji është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe çdo vendim i marrë sipas këtij ligji do të jetë në përputhje me zotimet dypalëshe mbrojtëse që Kosova ka marrë në kuadër të MSA-së dhe marrëveshjeve tjera ndërkombëtare. Ndërsa, në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin shtator ka arritur në 12.7%, krahasuar me 0.2% sa ka qenë në shtator të vitit të kaluar.