Konkurs për shpërndarjen e 53 banesave sociale

Ministria e Transportit dhe Lidhjes (MTL) sot ka publikuar konkursin për shpërndarjen e 53 banesave për kategoritë e rrezikuara sociale, ku 43 banesa janë në Koçan dhe 10 në Makedonski Brod.

Në konkursin, që është i hapur deri në 6 gusht, shpërndahen banesa me sipërfaqe prej 35 deri në 45 metra katror, të ndërtuara përmes programit për ndërtimin dhe mbajtjen e banesave në pronësi të shtetit.

Për banesat do të mund të aplikojnë shtatë kategori të familjeve sociale, siç janë fëmijë pa prindër apo përkujdesje prindërore mbi 18 vjeç që kanë qenë nën përkujdesje të institucioneve dhe formave të tjera dhe shfrytëzues të ndihmës sociale apo ndihmës së përhershme në para dhe persona të prekur nga fatkeqësi elementare pa dallim të statusit juridik në vendbanimet e tyre.

“Banesat sociale do të ndahen në procedurë transparente përmes metodologjisë së pikave që do kenë kandidatët. Përparësi gjatë procedurës do të kenë fëmijët pa prindër apo përkujdesje prindërore- persona nën 18 vjeç që deri në këto vite kanë qenë nën përkujdesje të institucioneve dhe formave të tjera të përkujdesit për fëmijë pa prindër”, ka thënë në pres konferencën e sotme, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Ndryshe, gjatë vitit 2019 dhe 2020 planifikohet ndërtimi i 355 banesave sociale në Shkup, Gjevgjeli, Kumanovë, Dibër, Veles dhe Tetovë. Përmes programit në fjalë deri tani janë ndërtuar 731 banesa në 15 komuna.