Konjufca në krye të MPJ-së, Blerim Reka me post të ri në Qeverin Kurti

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka konfirmuar edhe zyrtarisht se Glauk Konjufca do të jetë ministër i Punëve të Jashtme.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka shkruar se është nder e krenari për Kosovën dhe shqiptarët gjithandej që të përfaqësohen nga një kryeministër si Albin Kurti e një ministër i jashtëm si Glauk Konjufca.

“Si brenda ashtu dhe jashtë vendit, do të jemi e ndihemi të përfaqësuar denjësisht, pa frikë se do të ketë as më të voglin skandal, me dashuri për vendin, me integritet e profesionalizëm”, ka shkruar ajo.

Grupi Koha më herët ka raportuar se postin e ministrit të Punëve të Jashtme do ta marrë Glauk Konjufca, ndërkaq gjashtë figurat e propozuara nga Albin Kurti për pesë ministri dhe një zëvendëskryeministër do të mbesin të njëjta. Ai që ka ndërruar ministri është Blerim Reka i cili do të udhëheqë Ministrinë Integrimit Evropian.

Kujtojmë se deri tash janë mësuar emrat e 12 ministrave të Qeverisë Kurti, ndërkohë që ende nuk dihet se kush janë ministrat nga radhët e komuniteteve pakicë.