Kongresmeni amerikan: Nëse Kosova nuk futet në NATO, rrezikon ta ketë fatin e Ukrainës


Kongresmeni republikan në Senatin e SHBA-së, Ritchie Torres, ka vazhduar thirrjet e tij për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, në vazhdën e agresionit rus.

Torres thirrjet që Kosova të anëtarësohet në NATO i ka bërë të ditur nëpërmjet shpërndarjes së prononcimit të tij për mediumin News12 në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’. Ai deklarohet për Kosovën teksa njofton për takimin, siç e quan ai, emocional që pati me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, nëpërmjet një video-thirrjeje online me të gjithë kongresmenët amerikanë.

“Biseda e Kongresit me Presidentin Zelensky ishte emocionale dhe theksoi nevojën urgjente për ndihmë për #Ukrainë dhe kombet fqinje. Ne vazhdojmë të qëndrojmë përballë Ukrainës, përballë sulmeve të dhunshme dhe kërkojmë që #Kosova të pranohet në NATO”, thuhet në postimin e tij.

“Nevoja për anëtarësim në NATO nuk ka qenë kurrë më urgjente për shkak të agresionit rus. Nëse presidenti nuk arrin ta përfshijë Kosovën në aleancën e NATO-s, atëherë vendet si Kosova mund të kenë të njëjtin fat si Ukraina dhe kjo është diçka që ne duhet ta parandalojmë me çdo kusht”, thuhet ndër të tjera në deklarimin e tij për mediumin amerikan.