Konflikt në distancë me Rudina Dembacajn, dhunohet ish bashkëshorti i saj dhe përfundon në spital

Aleksandër Varfaj, ish-bashkëshorti i aktores dhe moderatores Rudina Dembacaj, është dërguar në orët e para të së hënës në Spitalin e Traumës, raporton Ilirianews.al. Ai ka mbërritur i lënduar, i shoqëruar nga policia.
Ende nuk ka detaje nëse ky incident lidhet me konfliktet e vazhdueshme mes tij dhe ish-bashkëshortes, të cilat kanë përfunduar shpesh në dyert e gjykatës që pas divorcit të tyre disa vite më parë.

Pak ditë më parë, Rudina Dembacaj foli hapur në emisionin “Goca dhe Gra” për sfidat e saj pas divorcit, duke e akuzuar Varfajn për fshehje të të ardhurave dhe për mosrespektimin e detyrimeve financiare ndaj vajzës së tyre, Viktoria.

Varfaj reagoi ashpër ndaj deklaratave të saj, duke publikuar një postim të gjatë ku hodhi dritë mbi disa aspekte të konflikteve mes tyre. Ai pretendontr se kishte përjetuar pengesa të shumta për të takuar vajzën e tij dhe akuzonte ish-bashkëshorten për manipulime dhe mashtrime, duke përmendur madje dhe një çështje të mëparshme për falsifikim dokumentesh.

“Prej tre vitesh nuk kam mundur ta takoj vajzën time, ndërkohë që paguaj çdo muaj pensionin ushqimor,” shkruan ai. Varfaj përmend gjithashtu vështirësitë që ka hasur për të mbajtur kontakt me vajzën dhe për të zgjidhur çështjen e ndarjes së pasurisë pas divorcit.

Në vitet e fundit, konflikti mes çiftit ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike. Më herët, Rudina Dembacaj ishte dënuar për falsifikim dokumentesh pasi udhëtoi jashtë vendit me vajzën pa lejen e të atit. Ajo e konvertoi dënimin prej gjashtë muajsh burg në 80 orë shërbim prove.