Konfirmohen rastet e para me koronavirus në kampin më të madh të refugjatëve në botë

Dy refugjatë Rohingya kanë rezultuar pozitiv në koronavirusin e ri, në kampin më të madh në botë për refugjatë në Bangladesh, thanë zyrtarët.

Këto janë rastet e para të konfirmuara midis refugjatëve në kampin e Rohingya, tha një mjek qeveritar.

Zyrtarët i thanë BBC-së se personat e infektuar janë izoluar dhe po trajtohen nga ekipet mjekësore.

Rreth 1.900 refugjatë të tjerë tani janë duke u izoluar dhe do të testohen, në kampin që mban rreth 1 milion persona.

Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar për javë të tëra në lidhje me ndikimin e mundshëm të koronavirusit në kampin e refugjatëve Rohingya të cilët jetojnë në kushte të këqija, të bllokuar dhe kanë qasje të kufizuar në ujë të pastër.

“Tani që virusi ka hyrë në vendbanimin më të madh të refugjatëve në botë, ne po bëjmë një parashikim që mijëra njerëz mund të vdesin nga Covid-19”, tha Shamim Jahan, Drejtori i Organizatës humanitare, Save the Children në Bangladesh.

“Kjo pandemi mund ta kthejë Bangladeshin mbrapa me dekada”, tha ai.

Vetëm në vitin 2017, rreth 740,000 myslimanë Rohingya kanë ikur nga Mianmari drejt Bangladeshit, duke thënë se ushtria ua ka djegur fshatrat, i ka dëbuar dhe torturuar.

Mianmari, që njihet edhe si Birmani, është vend me shumicë budiste.