Konfirmohen 5 viktima nga covid-19, 53 raste të reja, numri i të infektuarve shkon në 483

Janë regjistruar edhe 5 viktima nga virusi korona.
Nga ana tjetër 53 raste të reja janë diagnostikuar me Covid 19 në 24 orët e fundit, me çka numri i të infektuarve shkon në 483.

-Ministria e Shëndetësisë informon se në Klinikën për sëmundje Infektive në Shkup kanë ndërruar jetë dy pacientë të prekur nga virusi korona, një grua 71 vjeçare nga Labunishta e Strugës dhe një burrë 77 vjeç nga Kumanova, të cilët kanë qenë të shtruar në gjendje shumë të rëndë.

Nga Ministria e Shëndetësisë shpjegojnë numrin e 5 viktimave, në të cilin sot janë llogaritur edhe ata që ndërruan jetë ditë më parë e që pas analizave është konfirmuar se kanë qenë të infektuar.

-Instituti i Shëndetit Publik informoi edhe për 2 raste vdekjeje, banor nga Velesi që vdiq para disa ditësh, ndërsa rezultati pozitiv është dëshmuar pas vdekjes; si dhe një shtetasi të huaj që ka jetuar 4 muaj në Shkup. Ministria thekson se edhe pacienti nga Kumanova që ndërroi jetë më 2 prill në Klinikën Infektive, testi i të cilit doli pozitiv, është konfirmuar dje si rast vdekjeje pozitiv me virus.

Sipas të dhënave numri i të vdekurve nga virusi korona në vend është gjithsej 17, ndërsa të shëruar 20 pacientë. 53 rastet e reja të konfirmuara përkatësisht janë nga: Struga 14, 13 nga Shkupi, 8 nga Kumanova, 6 nga Koçani, 5 nga Shtipi, 2 nga Prilepi, 2 nga Tetova, 2 nga Gostivari dhe 1 nga Velesi.

Për momentin në Klinikën Infektive të shtruar janë 61 pacientë, 11 prej të cilëve mbahen me frymëmarrje mekanike.

Në 24 orët e fundit gjithsej janë bërë 414 teste, ndërkaq që kur kanë filluar testimet në Maqedoninë e Veriut janë testuar 4920 qytetarë për të parë nëse janë ose jo të prekur me COVID-19.