Koncepti i ri mësimor në Maqedoni, mësimdhënësit dhe prindërit me vërejtje

Koncepti i ri mësimor për klasën e katërt të arsimit fillor po vazhdon të përballet me probleme të shumta që nga fillimi i vitit shkollor. Ditëve të fundit kanë arritur ankesa nga mësimdhënësit e gjuhës maqedonase që mbajnë mësim në paralelet shqipe dhe të bashkësive tjera etnike se në kuadër të librave digjital nuk figuron edhe libri i maqedonishtes. Me të njëjtin problem po përballen edhe mësimdhënësit e gjuhës angleze, të cilët për dallim nga kolegët e tyre të gjuhës maqedonase, po huazojnë materiale nga interneti.

“Ministria e Arsimit nuk ka marrëveshje konkrete me ndonjë shtëpi botuese prej Anglisë edhe nuk mundet me marr licencimin e librit, për këtë arsye edhe ata nuk lejojnë që të bëhet ngarkimi i librave dixhital, kryesisht. E tash si gjendemi. Ne kemi libra prej më herët që I kemi shfytëzuar, që ministria na ka lejuar me i përdor katër ose pesë vjet, nëse nuk janë të dëmtuara. Me ato po gjendemi, pak nga internet se tashmë digjitalizimi është bë trend edhe në shkollën kemi smart tabela të cilat i vetëm në funksion për realizimin e plan programit – deklaroi Urim Etemi, mësues i gjuhës angleze.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska tha se nuk ka vend për shqetësim dhe ankesa. Ajo kujtoi mësimdhënësit se libra digjital janë siguruar për katër lëndët e detyrueshme, gjuhë amtare, matematikë, shkenca dhe shoqëri. Ndërsa për të tjerat, Carovska tha se janë siguruar materiale mësimore.

“Për lëndët standarde ose katër lëndët e detyrueshme kemi libër. Për të gjitha të tjerat kemi materiale, materiale për mësim, materiale mësimore të cilat I ka vet mësuesi. Kjo është kështu dhe kështu vazhdon të mbetet për shkak se libri nuk është mjeti I vetëm mësimor por është vetëm një burim I informacioneve për nxënësit. Këto janë lëndë të cilat mësohen në bazë të materialeve tjera të cilat lëshohen si doracak për mësuesit nga Byroja për zhvillimin e arsimit – tha Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ndryshe nga Carovska, mësimdhënësit e këtyre dy lëndëve janë të detyruar që orën e maqedonishtes dhe anglishtes ta realizojnë me librat e klasës së katërt nga viti I kaluar. Gjithashtu, për shkak të mungesës së pajisjeve digjitale për zbatimin e konceptit të ri mësimor, shumë nxënës u detyruan të bëjnë fotokopjimin e librave digjital. Këto të fundit nuk janë të lejuara sipas dikasterit të Arsimit dhe Shkencës.