Komuniteti rom në Tetovë – Në kushte mesjetare dhe të padukshëm për institucionet

Janë 40 shtëpi dhe rreth 200 persona që jetojnë disa dekada në kushte tejet të vështira këtu në lagjen e komunitetit romë në Tetovë.
Përveç mungesës së infrastrukturës dhe kushteve për një jetë dinjitoze, këto persona nuk kanë as dokumente personale.

“Nga rreth 200 persona që jetojnë këtu në këtë lagje në Tetovë, një pjesë e madhe e tyre janë pa dokumente, pa numër amë, thjeshtë persona fantom. Për vite të tëra kërkojnë zgjidhjen e statusit të tyre që të paktën të kenë një librezë shëndetësore, megjithatë, e gjitha që marrin nga projekte të ndryshme dhe institucione të vendit, janë premtimet”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Selman Krasniqi 52 vjet jeton në Tetovë, megjithatë, nuk posedon asnjë lloj dokumenti identifikimi. Krasniqi thotë se ka dorëzuar kërkesë në polici disa herë, megjithatë përgjigje nuk ka marrë asnjëherë. Problemin më të madh e ka kur sëmuret. Shërbimet shëndetësore duhet t’i paguaj privatisht.
“Letër njoftimi nuk kam. Kam qenë në polici kam lëshu do dokumente tha pritni. Krejt privat i bëjmë. Fëmijët krejt i kanë dokumentet vetëm unë nuk i kam”, pohoi Selman Krasniqi, Banor fantom i Tetovës.

“S’kam asnjë dokument. Krejt privat shkojmë, ku me marr pare për dokumente, të varri nënës veç. Punojmë diçka privat po s’ka as për bukë”, u shpreh Agron Krasniqi.
Të pyetur në komunën e Tetovës, thonë se është në formim e sipër është zyra e veçantë për komunitetin rom, që do merret me problemin e tyre në të ardhmen.

“Me formimin e kabinetit ne kemi paraparë punësime të komunitetit romë, ku do bëhet edhe zyrë e veçantë dhe përmes asaj zyre dhe personave të angazhuar në komunë, do bëjmë skemën dhe planin e punës se si do ti dokumentojmë dhe ri socializojmë ata persona”, tha Besar Durmishi, Komuna e Tetovës.

Në nivel të shtetit, persona fantom kryesisht të komunitetit rom që nuk posedojnë numër amë, janë rreth 800. Numri më i madh i tyre, gjenden në Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë.
https://www.youtube.com/watch?v=Vi_MHDA9Udw