Komunat në krizë! Fatura të rrymës shumëfish më të larta sesa vitin e kaluar


Komunat vazhdojnë të ankohen për fatura të larta të rrymës. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami thotë se vetëm për ndriçimin publik kanë fatura 10 herë më të larta sesa në muajt e kaluar. Shprehet se implikimet janë të mëdha dhe tashmë komuna e ka shpenzuar buxhetin e paraparë për rrymë elektrike.

“Për mua si edhe për shumë kryetarë tjerë të komunave nuk është e qartë se si është e mundur që ndriçimi publik të lëshohet në treg të lirë. Nëse ndriçimi publik nuk është interes publik dhe të ketë energji elektrike të subvencionuar, atëherë nuk e di çka mund të jetë”, tha Kasami.

Edhe kryetari i Strumicës, Kostadin Kostadinov, tregon se vetëm për muajin nëntor fatura e rrymës ka qenë 730 mijë denarë, ndërsa tani është rritur në 4.8 milionë denarë. Tha se është e nevojshme mbështetje nga Qeveria, por jo në formë të subvencioneve.

“Përkundrazi, komunave, kryetarëve të komunave , këshilltarëve dhe administratës i mbetet të bëjnë projekte në lidhje me energjetikën, konkretisht centrale fotovoltaike ose projekte të tjera, kreativiteti i mbetet administratës dhe kryetarëve të komunave, e më pastaj të kërkojmë dotacione kapitale. Në këtë formë e kuptoj nevojën për ndihmë, por assesi në formë të subvencioneve që t’i paguajmë faturat e rrymës”, u shpreh Kostadinov.
Problemet financiare po u pamundësojnë komunave që të realizojnë projekte në dobi të qytetarëve, tha kryetarja e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Danella Arsovska.

“Kemi dëshirë dhe jemi të përgatitur që t’u japim shërbime cilësore qytetarëve tanë, megjithatë, siç përmenda, problemi kryesor është mungesa mjeteve financiare për pushtetin lokal për realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët. Kjo është ajo që në të vërtetë i pengon komunat tona e ajo është mungesa e financimit”, tha Arsovska.

Ditëve në vijim pritet që Qeveria dhe komunat të ulen për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje për problemet financiare që po kalojnë komunat me faturat e energjisë elektrike. Ndër komunat që më së shumti janë të prekura nga kriza janë komunat e vogla, ku rrezikohet që edhe objektet e komunave të mbetën pa rrymë.