Komunat më pak transparente se ministritë, më së paku publikohen informacionet për financat

Transparenca aktive e ministrive, qeverisë dhe komunave në vitin 2021 është 63 për qind dhe është përmirësuar me pesë pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar, sipas renditjes vjetore të institucioneve sipas Indeksit të transparencës aktive të përgatitur nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Ministritë dhe Qeveria publikojnë mesatarisht 79 për qind të informacionit të kërkuar, që është rritje minimale krahasuar me 77 për qind të vitit të kaluar, ndërsa në komuna për të pestin vit me radhë ka më pak transparencë sesa ministritë. Komunat publikojnë 60 për qind të informacionit të kërkuar, që është 5,5 për qind më shumë pikë se vitin e kaluar.

Për herë të parë tani, dy institucione, përkatësisht Ministria e Mbrojtjes dhe komuna e Karposhit, kanë maksimum prej 100 për qind të transparences, pra ata publikojnë të gjithë informacionin e dhënë.
Ministritë publikojnë më së paku informacion për financat, ndërsa komunat për çështjet brenda kompetencave të tyre.
Nga rajonet, rajoni lindor është në vendin e parë me 74 për qind transparencë, ndërsa i fundit është rajoni i Shkupit me 49 për qind.
Qendra për Komunikime Qytetare informon se komunat iu përgjigjën kërkesave për qasje falas në informacion në mesatare prej 17 ditësh, ndërsa ministritë prej 16 ditësh, ndërsa 39 për qind e institucioneve u përgjigjën më vonë se afati i paraparë me ligj.

Që nga ky vit, transparenca aktive paraqitet në uebfaqen e krijuar posaçërisht www.aktivnatransparentnost.mk me një pasqyrë të të gjitha institucioneve të përfshira, por edhe rezultatet individuale për secilin institucion nga viti 2016 e këndej.
Indeksi i transparencës active është realizuar në kuadër të aktivitetit “Shpenzimet publike për të mira publike”, i mbështetur nga Projekti i USAID-it për pjesëmarrje qytetare. Qëllimi është të rritet efektiviteti i shpenzimeve publike duke ulur korrupsionin dhe duke rritur transparencën.