Komunat ende nuk shlyejnë borxhet ndaj ndërmarrjes Rusino


Nëntë komuna të rajonit të Pollogut, brenda ditës dërgojnë në deponinë Rusino rreth 200 ton mbeturina. Problem në të kaluarën ishte kontrollimi i ujërave të zeza të cilët edhe dëmtonin pronat bujqësore të fshatrave përreth deponisë. Edhe në këtë drejtim janë marrë masa, thotë Besim Dogani, drejtor i Ndërmarrjes Rusino Pollog.

“Sipas përllogaritjeve tona që i kemi, deri më tani grumbullohet mesatarisht një sasi prej 200 ton mbeturina në ditë. Sa i përket aspekteve tjera, kemi arritur që të minimizojmë, rrjedhën e uj;rave të zeza në fushat e fshatit Banjicë, edhe pse ka një rrjedhje por ajo është mjaft e vogël por për dallim prej më herët kur kishim rrjedhje të ujërave të zeza në sasi më të madhe tash kjo është zvogëluar dukshëm. Kjo ka ndodhur kur deponia ka qenë në fazën e pakontrolluar. Tash bëjmë pompimin e ujërave të zeza, bëjmë rrafshimin e mbeturinave dhe grumbullimin e mbeturinave sipas nevojës”, tha Dogani.

Menaxhimi me 200 ton mbeturina në ditë është një punë që kushton shumë, prandaj edhe paraqiten problemet me pagesën nga ana e komunave. Borxhi i komunave kundrejt kësaj ndërmarrje është 3 milionë e 600 mijë denarë (rreth 60 mijë euro), thotë Dogani.

“Komunat akoma janë vonesë me pagesën e subvencioneve, ku gjithsej komunat e Pollogut na kanë borxh në vlerë rreth 2 milionë denarë në subvencione, kurse sa i përket borxhit të faturuar për mbeturina të sjellura, kemi një borxh prej 1 milion e 600 mijë denarë borxh të prapambetur nga Ndërmarrjet komunale dhe kompanive private. Dua të theksoj se në këtë drejtim se kompanitë private kanë një borxh dukshëm më të vogël, pra janë më të rregullt në pagesë dhe 90 përqind të pagesave I kryejnë në rregull”, sqaron drejtori Besim Dogani.

Komunat i kanë shkelur të gjitha afatet për shlyerjen e borxheve. Drejtori Dogani thotë se nëse komunat vazhdojnë me këtë ritëm atëherë nuk përjashtohet mundësia që edhe të mbyllet deponia, kurse komunat duhet të reflektojnë për të mos sjellë në situatë falimentimi ndërmarrjen që vet e themeluan.

“Afatet e pagesës së borxhit janë shkelur që moti, por ne duke patur parasysh kondicionin e vështirë financiar të komunave dhe ndërmarrjeve komunale, jemi munduar të punojmë me shumë restrikcione dhe mezi të mbijetojmë nga njëri në tjetrin muaj. Nuk kemi bërë presion, por në atë muaj që nuk do të kemi mjete për të paguar obligimet themelore atëherë i tërë procesi do të bllokohet dhe nuk do të ketë nevojë për afate sepse do të vjen deri tek bllokimi. Kryetarët e komunave dhe drejtorët e Ndërmarrjeve Publike të këtyre komunave janë të njoftuar për këtë situatë dhe mbetet që ato të jenë më serioz në këtë drejtim sepse ata vet janë themelues”, shprehet Dogani.

Ndërkaq, lidhur me problemin e ndezjes së mbeturinave në këtë deponi, tashmë janë marrë masa që të mos vjen deri tek zjarret më të mëdha, pasi që ka të angazhuar roje dhe makineri që është në dispozicion të intervenojë në kohë. (koha.mk)