Mbi 1.5 milion euro ka dhënë Zvicra, me qëllimin që në komunat e Pollogut të themelohet një ndërmarrje për menaxhim me mbeturina, por komunat e këtij rajoni nuk arrijnë të ndajnë 2 deri në 5 mijë euro nga buxheti i tyre që të fillojë të funksionojë ndërmarrja publike për grumbullimin e mbeturinave “Pollog Rusino”.Fatmir Saiti, drejtor i Qendrës për Zhvillim të rajonit të Pollogut thotë se nga 9 komunat që është dashur të paguajnë, deri më tani vetëm dy, ajo e Gostivarit dhe Tearcës, kanë dhënë para.
“Në mbledhjen që pata me kryetarët e komunave u vendos që deri më 15 qershor të gjithë të realizojnë këtë pagesë, varësisht nga komunat, nga dy mijë euro deri më pesë mijë euro”, th Fatmir Sairi – drejtor i QZHRP.
Arsyeja e kësaj, sipas Saitit, është se komunat nuk kanë motiv që të paguajnë sepse nuk mund të hedhin mbeturinat në Rusino. Shton se për një muaj do të përfundojnë realizimi i kërkesave të protestuesve të “Stop Rusino”, e pas kësaj komunat do të mund ta përdorin këtë zonë për të hedhur mbeturinat.
“Kemi një situatë ku komunat nuk mund të dërgojnë mbeturinat në “Rusino” ndërsa duhet të paguajnë për këtë ndërmarrje, pra edhe motivi i tyre nuk ka qenë në nivelin që duhet të jetë mu për këtë shkak, besoj se për një muaj do i përfundojmë këto punime, pra do përfundojmë peshoren matëse dhe shtëpizën për ta kontrolluar këtë, mbaroi faza e asfaltimin dhe rruga është e asfaltuar deri lart, kemi edhe një shtëpizë në hyrje në rrugën që të shpie në Rusino”, shtoi drejtori i QZHRP, Fatmir Saiti.