Komuna Qendër apo Ministria e Kulturës? Kush duhet ta rrë*nojë Portën Maqedonia dhe Nënë Terezën


Tre javë pasi që Qeveria me shkresë kërkoi nga Komuna Qendër që ta fshijë pullën për Portën Maqedonia, Komuna Qendër dhe Ministria e Kulturës po e hedhin fajin mes tyre në lidhje me atë se kush duhet ta rrë*nojë.
“Në Komunën Qendër deri në këtë moment nuk kanë filluar procedurat për heqjen e ndërtimeve që janë objekt i interesit tuaj, për shkak se komuna nuk mund të heqë objekte për të cilat nuk ka dhënë miratim për ndërtimin e tyre. Pas marrjes së shkresave nga institucionet e tjera shtetërore kompetente, gjendja e këtyre ndërtimeve do të jetë e qartë ndërsa komuna do të mundë t’i planifikojë hapat e ardhshme”, thonë nga Komuna Qendër.

Tv21 kontaktoi edhe me Ministrinë e Kulturës, prej ku përmes kumtesës na u përgjigjën.
“Në lidhje me kërkesën e Komunës Qendër rreth mundësisë për rrënim dhe për hapat që do të ndërmerren për ta realizuar këtë gjë, njoftojmë se Ministria e Kulturës është investues, por komuna i ka kompetencat për planifikim, lejet për ndërtim dhe shpallje të ndërtimeve pa leje si dhe veprimin në lidhje me këto ndërtime pa leje, gjë për të cilën Ministria e Kulturës nuk është kompetente”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Para disa javëve Qeveria parashtroi kërkesë deri te Komuna Qendër për planin e ri të detajuar urbanistik “Ringu i vogël” që të fshihen pullat e Portës Maqedonia dhe përmendorja e Nënë Terezës, që ndodhet në afërsi të hotelit Meriot. Grupi i punës për menaxhimin me projektin “Shkupi 2014” që u formua nga Qeveria e LSDM me ardhjen në pushtet në vitin 2017, për këto dy objekte tha se janë ndërtime pa leje dhe gjatë ndërtimit të tyre janë shkelur disa ligje. Gjatë anketës publike që këtë verë e ka realizuar Komuna Qendër për Planin e detajuar urbanistik “Ringu i vogël” komuna i ka marrë në shqyrtim të gjithë mendimet profesionale në lidhje me “Shkupi 2014”. Në mënyrë shtesë, mendime të tyre dhanë Ministra për transport dhe lidhje dhe Ministria për ambient jetësor dhe planifikim hapësinor.