Komuna e Tetovës, masa për vjeljen e tatimit

Qytetarët e Komunës së Tetovës që nuk kanë paguar taksat dhe tatimet, duhet të hapin kuletën dhe të fillojnë të bëjnë llogaritë, sepse së shpejti do të duhet t’i shlyejnë të gjitha borxhet që kanë ndaj komunës.
Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se po shqyrton metodologjinë përmes së cilës do të vjelë paratë që duhet të kishin hyrë në arkën e komunës gjatë 4 viteve të kaluara. Ai beson në ndërgjegjësimin e qytetarëve, megjithatë nuk e përjashton mundësinë që personat juridik apo fizik që synojnë shmangien nga tatime në përgjithësi, do të kushtëzohen në forma ligjore për ta bërë pagesat.

“Fillimisht do të dërgojmë të gjitha ato dokumente apo vendime të cilat obligojnë qytetarët për të paguar detyrimet ndaj komunës. Dhe njëherë, fokusi do të jetë në përmirësimin e shërbimeve që ofron komuna më çka në mënyrë të ndjeshme do të rrisim “vjeljen” e taksave. Dhe në anën tjetër do t’i informojmë qytetarët për obligimet që kanë ndaj pushtetit lokal dhe këtu do të vijë në shprehje sistemi i digjitalizimit i mënyrës së pagesës. Mënyra e kushtëzimit apo mënyra e dhunshme e “vjeljes” së taksës do të jetë mënyra e fundit dhe unë besoj se as nuk do të ketë nevojë ta shfrytëzojmë”, tha Bilall Kasami- kryetar i Komunës së Tetovës.

Borxhi i banorëve të Tetovës ndaj komunës është shumë më i lartë nga ai që zbuluam një ditë më parë. 5 milion euro mungojnë në arkën e komunës, nga të cilat 3.5 euro vetëm për tatimin mbi pronën. Kasami thotë së edhe ata që persona juridikë e fizikë që kanë paguar, nuk u është dërguar asnjëherë fatura e pagesës.

“Fatkeqësisht mekanizmi apo mënyra që ata e kanë shfrytëzuar nuk ka qenë efikas dhe jo gjithmonë këto vendime kanë arritur tek qytetarët. Dhe jo në vazhdimësi, pra nuk ka pasur një informim të rregullt apo sensibilizim të rregullt të qytetarëve sa u përket obligimeve që ata kanë pasur ndaj pushtetit lokal. Pushteti i kaluar ka dështuar që të akumulojë të hyrat burimore dhe kjo nuk ka qenë aspak faji i qytetarëve dhe këtë e dëshmon edhe fakti që ne kemi arritur pa asnjë mekanizëm të mbledhim taksa për tre muaj aq sa ata nuk kanë arritur të mbledhin për 9 muaj”, u shpreh Bilall Kasami- kryetar i Komunës së Tetovës.

Komuna e Tetovës është një nga Komunat në vend me borxhin më të lartë në nivel republikan edhe atë mbi 24 milion euro. Qeveria në vitin 2018 i shleu Komunës së Tetovës 50% të borxhit, por kjo nuk dha asnjë efekt pozitiv në zvogëlimin e tij. Borxhi është rritur. Nga 8 milionë euro sa ishte në vitin 2013, në fund të vitit 2021 borxhi kishte arritur 14,06 milion për përfshirë këtu edhe borxhet e ndërmarrjeve publike dhe shkollave.