Komuna e Tetovës ende me xhirollogari të bllokuar, 1.170 anëtarët e KKZ ende nuk i kanë marrë paratë e zgjedhjeve

Edhe pse kanë kaluar tre muaj, 1.170 persona të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Tetovës për zgjedhjet lokale në tetor 2021, akoma nuk kanë marrë kompensim për punën e kryer.

Xhirollogaria e Komunës së Tetovës ende është e bllokuar për shkak të borxheve, dhe nuk mund të kryejë pagesa të mbi 12 milionë denarëve.
“E saktë është se paratë e anëtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor për zgjedhjet lokale në tetor të vitit të kaluar, ende nuk janë paguar. Si Komision Komunal Zgjedhor jemi drejtuar në KSHZ, pasi Komuna e Tetovës ka xhirollogari të bllokuar dhe nuk mund të kryejë pagesa të anëtarëve të KKZ-së”.

“KSHZ kërkesën tonë e ka dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe presim nga ministria që mjetet t’i lëshojë në nën-xhirollogarinë tonë të cilën e kemi si KKZ. Besojmë se mjetet do të lëshohen që të mund ta bëjmë pagesën. Komuna e Tetovës këtyre 1.170 anëtarëve të bordeve zgjedhore, për rrethin e parë dhe rrethin e dytë të zgjedhjeve duhet t’u paguajë 12.2 milionë denarë”, deklaroi Nazmi Dauti, sekretar i KKZ-së për Komunën e Tetovës.

KKZ kërkesën për pagesë në KSHZ e dorëzoi në dhjetor të vitit 2021 dhe KSHZ-ja ia dërgoi Ministrisë së Financave.

Sipas Dautit, mund të ketë problem me pagesën sepse në buxhetin e vitit 2022 nuk janë paraparë para për pagesën e aktiviteteve zgjedhore, por ka mundësi që të sigurohen me ribalancim të buxhetit kur të bëhet ose eventualisht Ministria e Financave do të gjejë mënyrë tjetër për të shlyer këto fonde.