Komuna e Haraçinës asnjëherë s’ka mbledhur tatime, kryetarët fajësojnë paraardhësit e tyre

Së paku dy dekada në Komunën e Haraçinës nuk është paguar asnjë tatim mbi pronën. 6 kryetarë kanë drejtuar me këtë komunë që nga viti 1996 dhe asnjëri prej tyre nuk ka arritur të vërë në funksion një sistem apo softuerë për të mbledhur këtë tatim nga qytetarët. Disa nga kryetarët më të cilët kontaktuam na thanë se kur kanë marrë mandatin nuk kanë gjetur të instaluar softuer për pagimin e tatimit mbi pronën duke shtuar se “ siç e kanë gjetur, ashtu e kanë lënë”.

Kryetarët e Komunës së Haraçinës:
-Murat Ajdini PPD një mandat; -Reshat Ferati PDSH një mandat; -Muzafer Bislimi BDI një mandat; -Basri Bajrami DR një mandat; -Brahim Ajvazi BDI një mandat; -Milikije Halimi LSDM një mandat; -Ridvan Ibraimi BDI AKTUAL.

“Nuk kam gjetur softuer e kur kam marrë mandatin. Edhe unë kur e mora komunën e dija fuqinë e saj financiare, por arrita të bëj punë të mëdha. Projektet tona janë të dukshme dhe shihen. Kryetari aktual duhet të merret me punë dhe jo me llafe boshe”, deklaroi Milikije Halimi- ish kryetare e Komunës së Haraçinës.

“Po të tregoj të drejtën, siç e kanë gjetur tjerët, e kemi trashëguar edhe ne, pra nuk kemi pasur softuer. Edhe ne nuk kemi arritur ta bëjmë, kështu që edhe ne jua kemi përcjellë. Secili kryetar mandat pas mandati, kështu që ka ngelur. Që thatë, përse ju nuk e keni bërë, ai ka qene i gjithë problemi tek unë se buxheti ka qenë i kufizuar mezi kemi arritur të paguajmë punëtorët dhe këshilltarët e jo më të bëjmë diçka jashtë asaj”, tha Brahim Ajvazi-ish kryetar i Komunës së Haraçinës.

“ Me sa e di unë nuk kemi pasur softuer. Thjesht është bërë përllogaritje përmes sektorit për urbanizëm.
Keni tentuar ta instaloni softuerin?
– Nuk kemi pasur softuerin, por kemi tentuar të bëjmë përllogaritjet përmes sektorit për urbanizëm”, u shpreh Basri Bajrami ish kryetar i komunës së Haraçinës.

Kryetari aktual i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi tha se tashmë e kanë instaluar software-in dhe është trajnuar një ekip që do të bëjë regjistrimin e pronave në terren. Megjithatë, se më çfarë serioziteti do të trajtohet kjo çështje do të shihet në të ardhmen.

“Në njëfarë forme janë akuzuar të gjithë banorët e Komunës së Haraçinë. Unë mendoj se padrejtësisht janë akuzuar. …Domethënë as program për taksë dhe tatim nuk ka qenë i instaluar në komunë. Nëse shpalos ky informacion për komunën tonë, unë mendoj se është edhe e turpshme se çfarë kanë lejuar në të kaluarën udhëheqësit”, theksoi Ridvan Ibraimi- kryetar i komunës së Haraçinës.

Sipas të dhënave të Entit për Statistikë, nxjerrë nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2002, në Haraçinë janë të regjistruara 2442 shtëpi banimi. Haraçina është njëra ndër komunat e zhytura më së shumti në borxhe, ndërsa Qeveria ka intervenuar disa herë me buxhet për t’i shlyer borxhet. Nga Qeveria nuk tregojnë nëse kanë kërkuar llogari nga Komunat të cilave u ka ndihmuar, për mënyrën e krijimit të borxheve të larta.
https://www.youtube.com/watch?v=58XOrrgwQm8