Mediat javën e kaluar publikuan se dy kompani të personave në pushtet morrin ndihmë financiare nga shteti. Makfaks publikoi se shtypshkronja “Ginis” e deputetit të LSDM-së, Hari Lokvenec ka fituar 10 milion denarë nga Fondi për inovacione, në thirrjen e parë publike, për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga Plani për rritje ekonomike.
Kompania e dytë është “Kast invest” pronar i të cilit është fabrika “Brako” kapitali i të cilit i takon zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, njofton Prizma.
Angjushev për Prizmën deklaroi se e ka ditur që do të aplikojnë, por që askujt nuk iu është lajmëruar për grantin, dhe se qëllimi ka qenë që të hapen vende të reja pune. Ai thotë se kompanitë e tij nuk duhet privilegjuar por edhe as diskriminuar, përcjell Portalb.mk.
Dhe të mos ketë dyshime se këto dy raste të pushtetarëve, kompanitë kanë plotësuar kushtet për fitimin e ndihmës shtetërore, dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore, shtrohet pyetja për etikën dhe moralin e këtij veprimi. Gjithashtu, a thua ka ndeshje mes interesave kur krijoni masa dhe më pas kompania e juaj konkurron që të fiton mjete duke u bazuar në ato masa.
Në rrjetet sociale kishte debate të mëdha lidhur me këto dy raste, dhe prandaj u kërkuan nga Komisioni antikorrupsion që të hulumtojë se a është konflikt interesi dhe a është sipas ligjit ky veprim.
VMRO-ja kërkoi nga Prokuroria publike që të përgjigjet për rastin e kompanisë “Kast invest” të Angjushevit.
“Para një jave zëvendës kryeministri Koço Angjushev doli në foltore dhe tha se kishte ‘nderin dhe kënaqësinë dhe ishte i lumtur’ që Fondi për inovacione ndau 10,5 milion euro. Po si mos të gëzohet kur firmës të cilën ai e posedon iu ndanë 160 mijë euro”, tha zëdhënësi i VMRO-së, Dimçe Arsovski.
Ndërkaq nga ana tjetër kryeministri Zoran Zaev për Novën për rastin në fjalë tha se rregullat duhet të vlejnë për të gjithë dhe askush nuk duhet të jetë i favorizuar.
“Rregullat duhet të vlejnë njëlloj për të gjithë, askush nuk duhet të jetë i favorizuar. Nuk duhet të ketë konflikt interesi dhe as shpenzime me paratë e qytetarëve. Do t’i hetojmë të gjitha procedurat dhe nëse ka pasur ndonjë gjë të parregullt apo që krijon konflikt interesi, do të kërkoj revidim të vendimeve”, tha Zaev.