Kompania Ecolog në ndihmë të mijëra familjeve. Lazim Destani thirrje biznesmenëve: T’u shtrijmë dorën nevojtarëve

Ecolog International, kompania e familjes së filantropit dhe biznesmenit nga Tetova, iu vjen në ndihmë familjeve në nevojë në Maqedoninë e Veriut. Iniciativa e filantropit Lazim Destani dhe e Ecolog, ka të bëjë me ndihma për produkte ushqimore dhe ato bazë të jetesës, për qindra mijëra familje që nuk e kanë mundësinë ekonomike. Por, ndryshe nga mënyra klasike, Eccolog, ashtu si dhe vitin e kaluar, nisi shpërndarjen e kuptonave, që janë të vlefshëm me një shumë të caktuar monetare. Këta kupona, u jepen familjeve në nevojë, të cilat më pas, me anë të tyre, mund të blejnë produktet bazë të shportës, apo dhe të higjienës.

Filantropi Destani, i cili njihet për aktet e tij të bamirësisë në të gjitha trojet shqiptare, nuk është ndalur me kaq. Ai iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarë biznesmenë, në trojet shqiptare apo në diasporë, që t;u gjenden pranë familjeve në nevojë, në këto ditë të vështira, si pasojë ende e pandemisë së Covid-19. Në rrjetet e tij sociale, Z.Destani ka shkruar se, ne duhet t’i zgjasim dorën njëri-tjetrit, me qëllim që kjo situatë të kalohet sa më lehtë.

Ja postimi i plotë i Z.Destani.
“Njerëzimi dhe sidomos shkenca e mjekësisë po e bën të pamundurën për frenimin e përhapjes dhe luftimin e Covid-19. Përkundër këtyre përpjekjeve, pandemia akoma nuk është tejkaluar, ajo po vazhdon të kërcënojë. Zbulimi i vaksinës dhe imunizimi i popullsisë po na mbush me shpresë dhe besim se së shpejti do të çlirohemi nga kjo e keqe. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për pasojat, andaj duhet të kemi durimin të vazhdojmë me zbatimin e masave mbrojtëse.
Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se nga pasojat e pandemisë shumë familje vazhdojnë të mbeten pa të ardhurat e rregullta. Ato janë në gjendje të vështirë dhe kanë nevojë për mbështetje, të mos flasim për familjet sociale që po bëjnë përpjekje për mbijetesë.

Të nderuar kolegë biznesmenë kudo që jeni, brenda trojeve tona apo në diasporë, le të vazhdojmë me solidaritetin tonë. Gjithsecili sipas mundësive që ka, Ju bëj thirrje t’u dalim në ndihmë këtyre familjeve duke nisur nga fqinjësia, lagjja, katundi apo qyteti nga vijmë e më gjerë.

Më vjen mirë që nga biznesi ynë familjar tashmë ka nisur shpërndarja e kuponave me vlerë për blerjen e produkteve të konsumit të gjerë. Kjo është forma që ne për çdo vit i mbështesim familjet në nevojë, ndërsa tash në periudhën e pandemisë, me buxhet të rritur. Le t’ia zgjatim dorën njëri-tjetrit pasi kështu do ta kalojmë më lehtë këtë sfidë. Shumë prej atyre që sot janë në nevojë, nesër mund të jenë ata që do t’ia zgjatin dorën të tjerëve në nevojë!
Solidarizimi është humanitet ndërsa humaniteti e fisnikëron shpirtin njerëzor dhe i afron njerëzit, i bën ata më të dashur me njëri-tjetrin”, shkruan filantropi.

Lazim Destani, i njohur si filantrop dhe mbrojtës i çështjeve shqiptare, është biznesmen i suksesshëm dhe Kryetar i Bordit të Ecolog-International. Destani ëshytë njëkohësisht dhe Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës.