Kompania prestigjioze me renome ndërkombëtare Ecolog International, para absolventëve të Universitetit të Tetovës prezantoi mundësitë e trajnimeve që ofrohen për ta nga kjo kompani.
Përgjegjësi për rekrutim i kësaj kompanie, z. Mislim Hasipi, shprehu falenderime për drejtuesit e Universitetit të Tetovës që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ecolog-ut, për takimin e tyre me absolventët. Ai tha se absolventët i pret sfida e radhës, ndaj duhet të rriten në aspekt profesional, social, ekonomik dhe se mbi të gjitha për t’i aritur këto synime, ata duhet të gjejnë një vend pune, në bazë të profilit që e kanë ndërtuar gjatë studimeve. Kompania Ecolog është një mundësi e mirë për çdonjërin nga ata. “Prezantimi i sotëm nga ana e kompanisë sonë ka të bëjë me njoftimin e absolventëve për mundësitë që Ecolog-u i ofron, si në aspekt të punës praktike ashtu edhe për mundësinë e punësimit me afat të gjatë për nevojat e projekteve që i kemi gjithandej ku veprojmë” – tha z. Mislim Hasipi.
Kompania Ecolog, gjatë shqyrtimit të kërkesave të tregut të punës, rëndësi të veçantë u kushton ish-punëtorëve dhe më pas kërkesat i orienton drejt institucioneve akademike. Nga kjo kompani u apelua deri tek universitetet, që të përgatitin kuadro të mirëfillta për industrinë. “Nëse e lëmë anash pjesën e konsiderimit të ish-punëtorëve që është gjithmonë prioritet për kompaninë, universitetet dhe institucionet akademike janë dera e radhës në të cilën ne drejtohemi më shumë. Ndaj, bëj edhe një here apel për institucionet akademike që të jenë sa më afër me industrinë dhe të mundohen të ofrojnë kuadro të cilat i nevojiten industrisë” – shtoi mes tjerash z. Mislim Hasipi.
Absolventët e Universitetit të Tetovës shprehën interesim të madh për ofertat e kompanisë Ecolog, njëkohësisht parashtruan dhe një sërë pyetjesh mbi mënyrën e aplikimit për punë, kriteret që duhet t’i plotësojnë për t’u punësuar, përzgjedhjen e kandidatëve, për faktin sa u kushtohet rëndësi CV-ve të kandidatëve, njohjes së gjuhëve të huaja e kështu me radhë.
Po ashtu në këtë prezantim u tha se Ecolog International nuk është kompani lokale edhe pse fizikisht gjendet në nënqiellin tetovar. Ajo në gjirin e vet ka një numër të madh të ndërkombëtarëve dhe njerëz të komuniteteve të ndryshme. Vepron në 36 vende të ndryshme të botës dhe punon me projekte në sfera të ndryshme, megjithatë fokusi kryesor i kësaj kompanie ngelet te burimet njerëzore që i ofrojnë institucionet akademike.