Komiteti i Helsinkit: “Duhet llogaridhënie për të gjitha problematikat nëpër burgjet e Maqedonisë”

Komiteti i Helsinkit përmes një deklarate për mediat ka reaguar lidhur me situatën e sigurisë nëpër burgjet e Maqedonisë. Prej aty thonë se në vazhdmësi janë vërejtur parregullësi, siç theksojnë dhe mbajtjen e mjeteve të mprehta nga ana e të burgosurve.

“Si organizata që monitorojnë në vazhdimësi dhe drejtpërdrejt situatën në burgje, dhe të inkurajuar nga aksioni i fundit i MPB-së në burgun e Idrizovës, theksojmë se ajo që u portretizua në media si konfiskim spektakolar i thikave, drogës dhe celularëve në burg, në fakt është një situatë normale e cila ka dekada të tëra që ndodh. Në raportet dhe rekomandimet tona rregullisht i referohemi kushteve nën standarde, korrupsionit dhe mangësive të tjera sistematike në sistemin e burgjeve, veçanërisht në institucionin më të madh të vuajtjes së dënimit – Idrizovë. Gjatë vizitave tona, përveç mangësive të tjera të shumta, për të cilat rregullisht e informojmë opinionin dhe institucionet kompetente, gjithmonë janë vërejtur thika në dhomat e të dënuarve në pavijonin e mbyllur të institucionit, por edhe në pavijone të tjera, siç ka qenë rasti gjatë vizitës së fundit në IEVP Idrizovë, e realizuar në qershor të këtij viti. Përkundër faktit se kemi apeluar për rrezikun e (vetë) lëndimit të të dënuarve, si sqarim gjithmonë thuhej se ata nuk kanë dhomë ngrënie të veçantë, prandaj kanë thika në dhomat e tyre. Për pasojë, të dënuarit kanë mbetur të plagosur në ndonjë debat dhe ka pasur incidente kur të burgosurit kanë goditur me thikë pjesëtarët e policisë së burgjeve” thuhet në njoftim.

Komiteti i Helsinkit thotë se dikush duhet të mbaj përgjegjësi për situatën e krijuar nëpër burgjet e vendit, konkretisht atë të Idrizovës.

“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë do të monitorojnë veprimet e institucioneve në lidhje me bastisjen në Idrizovë. Presim që hetimi të jetë i plotë dhe gjithëpërfshirës që më në fund dikush të marrë përgjegjësinë për të gjitha këto lëshime në IEVP, të cilat jemi dëshmitarë prej vitesh. Nëse edhe në këtë rast shmanget përgjegjësia e drejtpërdrejtë, vështirë se mund të presim ndryshimet e dëshiruara pozitive në sistemin e përgjithshëm të vuajtjes së dënimit. Krahas problemit të korrupsionit, i cili është shkaktar i shumë sfidave dhe lëshimeve të tjera të rënda që u zbuluan me aksion, duhet theksuar edhe shqetësimi për problemin e mbipopullimit në IEVP Idrizovë, por edhe në IEVP të tjera në vend. Gjatë vizitës së fundit, vëzhguesit tanë vunë re se dhjetëra të dënuar po flinin në dysheme në pavijonin e mbyllur të institucionit. Kujdesi shëndetësor mbetet problemi më urgjent, për shkak të të cilit shumë të dënuar nuk kanë akses tek mjeku, psikiatri dhe terapitë e nevojshme mjekësore”, thuhet në deklaratë.