Komisioni për Sëmundje Ngjitëse duhet të vendosë se a do të vendoset në funksion salla plenare

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet prej 8 qershorit ta vazhdojë mbajtjen e mbledhjeve në sallën plenare si para pandemisë me Kovid-19, nëse për këtë merr leje nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Kryetari i Kuvendit sot ka pasur takim me kryetarin dhe anëtarët e këtij Komisioni.

“Sot kisha takim me kryetarin dhe përfaqësuesit e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse të cilët kryen kontroll të sallave dhe hapësirave ndihmëse për të konstatuar nëse janë përmbushur të gjitha kushtet që Kuvendi të fillojë ti mbajë seancat plenare në Sallën Maqedonia, me respektimin e masave të mbrojtjes nga KOVID – 19, në pajtim me rekomandimet e reja të Qeverisë, pasi që shërbimi, deputetët, sigurimi dhe të pranishmit tjerë për çdo ditë në dhomën ligjvënëse e përfunduan procesin e imunizimit. Me besim se dhoma ligjvënëse i përmbush kushtet e rekomanduara të punës, do e presim përgjigjen pozitive të Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse”, shkroi Xhaferi në Facebook.

Kuvendi mbledhjet e tij plenare që nga fillimi i pandemisë i mban në Sallën me Kupolë për shkak të respektimit të rekomandimit për mbajtje të distancës, por në këtë sallë nuk ka sistem për votim elektronik kështu që votat numërohen me dorë.