Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial e nisim me mekanizma të jashtëm, të pavarur nga çdo ndërhyrje. Sot jemi këtu për të prezantuar Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Të dy këto të vlerësuara lartë nga Komisioni i Venecias që Qeverisë së Kosovës ia ka falur besimin profesional për të jetësuar reformën e premtuar. Komisioni i Venecias na bind që reformat janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike”, ka thënë kryeministri Kurti në konferencë për media bashkë me ministren e Drejtësisë , Albulena Haxhiu.
Po ashtu Kurti tha se Reformimi i gjyqësorit përbrenda me akterët aktual nuk është i mundur.
“Këtë e kemi të konfirmuar prej Komisionit të Venecias. Rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve e nisim me mekanizmat e jashtëm të pavarur nga çdo ndërhyrje”, deklaroi ai./21Media