Komisioni Evropian njeh çertifikatat shqiptare të vaksinimit

Duke nisur nga sot, Shqipëria do të jetë e lidhur me sistemin e Bashkimit Evropian për certifikatat digjitale për COVID-19. Kjo nënkupton që dokumentet e lëshuara nga autoritetet shqiptare që vërtetojnë vaksinimin, testet apo shërimin nga koronavirusi do të njihen në të gjitha vendet anëtare të bllokut, por edhe në disa të tjera jashtë unionit.

Në të njëjtën kohë, edhe Shqipëria duhet të pranojë dhe njohë certifikatën digjitale COVID, për udhëtimet nga BE.
Eurokomisionari për drejtësi, Didier Reynders, ka thënë se falë saj, qytetarët do të jenë në gjendje të udhëtojnë të sigurt.

“Kjo është një situatë e favorshme, qytetarët mund të gëzojnë të drejtën e tyre për lëvizje të lirë dhe bizneset si dhe sektori i transportit mund të fillojnë të kompensojnë humbjet e muajve të kaluara”, u shpreh ai.
Në total në këtë skemë bëjnë pjesë 42 shtete, 27 anëtare të BE-së dhe 15 jo anëtare.
Përveç Shqipërisë, Komisioni Evropian miraton edhe certifikatat e vaksinimit të 6 shteteve të tjera, Andorra, Ishujt Faroe, Izraeli, Monako, Maroku dhe Panamaja.