Komision special për Blerim Ramadani! Mickoski për kërkesën nga Beogradi: Nuk i jap shpjegime askujt

Këshilli Gjyqësor formon komision të posaçëm për rastin e Blerim Ramadanit. Kryetarja e Këshillit, Vesna Dameva, thotë se është detyrë e tyre që të reagojnë pas informacioneve që qarkullojnë në opinion për, siç shton ajo, arratisjen e shtetasit të huaj për të cilin është zhvilluar procedura për ekstradim.

Duhet të krijohet një komision dhe sa më shpejt të konstatohet gjendja faktike lidhur me këtë dhe të dalim me të dhëna konkrete para opinionit – a ka ndonjë gjë, çfarë ka ndodhur, a ka faj gjykata apo jo, të mos dalim me paragjykime”, tha Vesna Dameva – kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Paraprakisht, gjyqtari i Gjykatës Penale ka marrë vendim që ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, në vend që të ekstradohet, të jetë në arrest shtëpiak deri më 16 gusht. Ndërkohë pritej të merrej vendimi për kërkesën e Interpolit serb për ekstradimin e tij në Serbi. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se gjyqtari që ka marrë vendimin për arrest shtëpiak edhe më herët ka marrë vendime kontroverse dhe sipas njoftimeve bëhet fjalë për gjyqtarin Pajazit Pajaziti. Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, arratisjen e Ramadanit e ka vlerësuar si skandaloze dhe ka kërkuar shpjegim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Nuk kam të drejtë të komentoj vendimet e gjykatës. Andaj ju lutem, të mos lejojmë, apeloj, që fqinjët tanë të na tregojnë muskujt. Përndryshe, unë nuk parashtroj shpjegime para askujt, ndoshta një me një që nuk e sheh askush”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.

Për këtë rast, për këtë periudhë, Serbia po jep informacione të pasakta dhe mendoj se nuk duhet të merren seriozisht në të ardhmen”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.

Ramadani ka dy ditë që nuk është në dispozicion të policisë dhe me gjasë ndodhet në Kosovë. LSDM-ja tha se fajin për arratisjen e ka MPB-ja e drejtuar nga Pançe Toshkovski, ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja fajtor i bën gjyqtarët, duke i quajtur vasalë të LSDM-së dhe BDI-së të cilët kanë vendosur për arrest shtëpiak. BDI-ja doli me qëndrimin se “dështoi plani i presidentit serb Vuçiq dhe qeverisë monoetnike për ekstradimin e Ramadanit në Serbi”.