Projekti parasheh ndërtimin e dy kolektorëve në gjatësi prej 8 kilometrash në dy anët e lumit Vardar. Projekti financohet me fonde të Bashkimit Evropian në vlerë prej rreth 9 milion eurosh dhe bashkëfinancohet nga buxheti i Maqedonisë në vlerë prej 15%, ai pritet të përfundojë në vitin 2020.
“Me ndërtimin e kolektorëve në dy anët e brigjeve të lumit Vardar, Qyteti i Shkupit do të mbledh ujërat e zeza urbane, me ç’rast do të përmirësohen në masë të madhe kushtet sanitare dhe higjienike në zonën qendrore të qytetit dhe në të njëjtën kohë është parakusht për ndërtimin e stacionit kryesor të trajtimit të ujërave të zeza për Qytetin e Shkupit, ndërtimi i të cilit do të fillojë në vitin 2020 dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ujit në lumin Vardar dhe është me ndikim ndërkufitar”,– tha ministri i ambientit jetësor, Sadulla Duraku.
“Me realizimin e këtij projekti do të mundësohet lumi të mbrohet nga ndotja, me mbylljen e disa gypave që drejtpërdrejtë lëshohen ujërat e zeza në lum. Po ashtu me ndërtimin e këtyre dy kolektorëve krijohen kushtet që deri në vitin 2020 të ndërtohet edhe qendra filtruese në qytetin e Shkupit”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
“Vetë përmirësimi i sistemit të kanalizimit, si dhe trajtimi i ujërave të zeza, është vendosur lart në agjendën e BE-së dhe arsyeja për këtë është e thjeshtë, këtu bëhet fjalë për vetë jetën e njerëzve, e madje edhe më larg se kjo, bëhet fjalë për shëndetin e gjeneratave të ardhshme”,- u shpreh ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
“Kjo është ditë e lumtur për ne, pasi tenderin për ndërtimin e kolektorëve e ka fituar një kompani franceze. Bëhet fjalë për punë të parë në rajonin e Ballkanit, që do të shfrytëzohet teknikë inovative, ku përfshihet një laser sanitar dhe rrethoja e ashtuquajtur e Berlinit”,- deklaroi ambasadori i Francës, Kristian Timoni.
Projekti do të realizohet nga Kompania franceze ENXHI dhe Kompania vendore BAUER.