Kodra e Diellit, “peng” i ndryshimit të ministrave, investitori i interesuar në pritje të sinjaleve nga vendi

Përderisa dje mbaroi sezoni i skijimit për këtë sezon në Kodrën e Diellit, kompania italiane e interesuar për të investuar në të, për Portalb.mk bën të ditur se si pasojë e ndryshimeve politike në vend, presin se me kë mund të vazhdojnë bisedimet. Heshtje nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) nëse Kodra e Diellit do të jetë prioritet i ministres së re.

Ndryshimi i ministrave si pasojë e ristrukturimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut duket se ka pasur ndikim direkt për sa i përket vazhdimit të procesit për investimin në Kodrën e Diellit. Kompania italiane “TechnoAlpin” për Portalb.mk tha se janë në pritje të vazhdimit të negociatave dhe se presin që kjo të fillojë sa më shpejtë.

“Është e saktë që jemi të interesuar të investojmë në qendrën e skijimit “Kodra e Diellit” dhe ne tashmë kemi dorëzuar një draft-kontratë në Qeverinë e Maqedonisë. Fatkeqësisht, pas ndryshimeve politike në vend, ne jemi ende në pritje të informacionit se me cilin person mund të ndërmarrim hapat e ardhshëm në negociata. Do të ishim shumë të lumtur nëse mund ta fillonim këtë proces sa më shpejt të jetë e mundur”, thanë nga TechnoApin për Portalb.mk.

Me 27 shkurt Kaja Shukova u votua nga Kuvendi i Maqedonisë si ministre e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e cila u emërua në vend të tani më ish ministrit Naser Nuredini. Shukova në këtë detyrë ka bërë tre javë.

Portalb.mk pyeti Ministrinë të cilën udhëheq ajo nëse ministrja do të ketë prioritet investimin në Kodrën e Diellit nga kompania italiane e lartpërmednur që tani më është i njohur për publikun. Nga Ministria duke mos iu përgjigjur direkt pyetjes thanë se ministria zbaton detyrimet e saja.

“Nuk kemi të dhëna të reja për ecurinë e aktiviteteve për nënshkrimin e kontratës me TechnoAlpin. Procedurat për ndryshimin e strukturës drejtuese kërkojnë shumë kohë, por Ministria Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tashmë është e strukturuar dhe zbaton intensivisht detyrimet e punës. Sapo të kemi të dhëna të reja për këtë proces do të informoheni”, thane nga MMJPH për Portalb.mk.

Investimin në qendrën e skijimit, para se gjithash, siç njoftuan nga Ministria e Mjedisit është i kushtëzuar me vënien në funksion të gondolës/teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit, projekt i cili gjatë kohë ëndërrohet nga qytetarët dhe nuk realizohet nga shteti.

Siç ka njoftuar MMJPH paraprakisht për Portalb, nënshkrimi me kompaninë italiane do të bëhet sapo të specifikohen të gjitha detajet, do të hartohet Ligji i posaçëm për Investime Strategjike, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë së vendit dhe pas miratimit nga Qeveria do të dorëzohet në Kuvend.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.