Kodi Zgjedhor: Propozim ligjet kalojnë filtrin e parë

ASH KËRKON MODEL ME 8 NJËSI ZGJEDHORE
Partitë më të vogla parlamentare, të cilat janë edhe propozuesit e këtyre ndryshimeve, kërkojnë që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, me model zgjedhor proporcional dhe përllogaritja së numrit të deputetëve sipas metodës së Dontit. Deputeti i Lidhjes Demokrate, Pavle Trajanov, duke sqaruar propozimin, theksoi se modeli aktual i Kodit Zgjedhor favorizon partitë e mëdha, ndërsa me ndryshimet do të fillojë procesi i “demontimit” të monopolit të partive të mëdha.

PAVLE TRAJANOV, DEPUTET I LD-së
“Me ndryshimet e rregullave të zgjedhjeve do të demokratizohet shteti, do të krijohen kushte për ndryshime sistematike, me të cilat do të përforcohet përgjegjësia e bartësve të funksioneve publike, do të ndërtohet sistem efikas për luftë krimit të organizuar dhe në sjelljen e vendimeve kruciale do të përfshihen më shumë parti dhe me atë ndikimi i qytetarëve do të jetë më i madh”.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se, e mbështesin këtë propozim dhe kërkoi që për këtë të ketë debat më të zgjeruar publik dhe me ekspert të fushës.

NIKOLA MICEVSKI, DEPUTET I VMRO – DPMNE-së
“Pas analizave të gjëra dhe afatgjate, qëndrimi i VMRO – DPMNE-së është se vota e çdo qytetari duhet të jetë i barabartë dhe të peshojë njëlloj. Momentalisht kemi njësi zgjedhore në të cilat deputet bëhesh me shumë më pak vota, për dallim nga njësi të tjera zgjedhore ku kanë mundësi për numër më të madh të votave dhe vjen deri te një mospërputhje e votave të deputetëve të partive të ndryshme politike”.
Ndërkaq, nga LSDM thanë se e mbështesin modelin zgjedhor me një njësi, por ndryshimi i modelit zgjedhor duhet të arrihet përmes konsensusit të gjerë.

SNEZHANA KALESKA VANCEVA, DEPUTETE E LSDM-së
“Nuk guxojmë të përshpejtojmë në procesin, ndërsa që kjo është mënyra e vërtetë po, Kuvendi është ai që duhet të diskutojë për modelin zgjedhor. Në Kuvend janë të gjitha partitë politike relevante”.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët është kundër një njësi zgjedhore. Ata kërkojnë që të ndryshohet Kodi Zgjedhor, por të ketë model me tetë njësi zgjedhore.

HALIL SNOPÇE, DEPUTET I ASH-së
“Ne e ofrojmë dorën që të ndryshohet modeli zgjedhor që të favorizohen edhe partitë më të vogla dhe të mos kenë atë shqetësim nëse dalin vetë në zgjedhje a do të fitojnë deputetë ose jo. Ne faktikisht nuk jemi as për gjashtë njësi zgjedhore si Aleancë për Shqiptarët dhe propozimi është që ky shtet të ndahet në tetë njësi zgjedhore”.

Ky propozim ligj fillimisht u vendos në rend dite në maj të vitit të kaluar, megjithatë Kuvendi nuk filloi debatin për të.
Qeveria në mendimin e dhënë në prill të vitit të kaluar për këtë propozim ligj, theksoi se procesi për miratimin e Kodit Zgjedhor imponon në mënyrë të pashmangshme nevojën e konsensusit të të gjitha partive politike dhe për këtë, nevojitet debat më i gjerë, grup punues interdisiplinar me të gjitha partitë politike./KlanMacedonia/