Koci: Ajo çka po ndodh me rastin e Faton Hajrizit në Serbi është e dyshimtë dhe e çuditshme

Avokati Arianit Koci ka thënë se ajo çka është duke ndodhur me rastin e Faton Hajrizit në Serbi është e dyshimtë dhe e çuditshme, pas një kërkese të re që ai thotë se e ka bërë policia e Serbisë.

Koci është avokat i autorizuar nga familja për ta tërhequr trupin e Faton Hajrizit nga Serbia.

Në një lidhje direkte në “Interaktiv” nga Beogradi të premten, Koci ka thënë se policia serbe po e kërkon pështymën e nënës së Fatonit.

“Sot për çudi e pata një kërkesë të re nga polica serbe. Po e kërkojnë pështymen e nënës së Fatonit. Reagova ashpër pasi iu thashë se kjo është dashur të bëhej më herët. Është indikative se ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, menjëherë ditën e parë apo të dytë ka thënë se është vrarë Fatoni. Po supozoj se një ministër i një shteti e bazon diku një deklaratë të tillë. Shenjat e gishtërinjve thanë sa po përputhen. Pse duhet me marrë ekstra prova? Sot zyrtari polcior më thotë se disa të dhëna nuk po përputhen dhe në atë kontekst, i përmend shenjat e gishtërinjve. Po më duket situatë e çuditshme, e dyshimtë”, ka thënë ai.

Për këtë arsye, avokati ka thënë se ka vendosur të kthehet në Kosovë për të biseduar me familjen e Faton Hajrizit.

I pyetur se sa e sigurt mund të jetë nëna e Faton Hajrizit nëse shkon në Serbi, Koci ka thënë se nuk ka siguri as për vete.

Koci u shpreh se nuk po i pëlqen ajo çka po ndodh.

“Por cila është arsyeja që në këtë fazë të merret pështyma kur ministri i Brendshëm ka deklaruar se është i vrarë dhe se shenjat e gishtërinjve po përputhen. Pse nuk po e kërkojnë edhe pështymën në të njëjtën mënyrë si shenjat e gishtërinjve, por po kërkojnë direkt me ardh nëna. Nuk jam i prirë për konspiracione, por në aspektin juridik nuk po më ec si duhet. Po e vlerësoj si të dyshimtë situatën dhe nuk po më pëlqen çka po ndodh”, ka shtuar ai.

Sipas avokatit, me këto vonesa, “nuk kemi me pas material të mjaftueshëm për ta bërë analizën dhe ekspertizën e trupit të Fatonit kur vjen në Kosovë”.

Koci është optimist se trupi do të kthehet.