Koçani dhe Shkupi me ajër të rre*zikshëm për shëndetin

Të dhënat e qendrave matëse në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut tregojnë se qytetarët thithin ajër të ndotur.
Në ueb faqen mojvozduh.eu që paraqet të dhënat për kualitetin e ajrit në Evropë, qyteti i Koçanit ishte i vetmi qytet në Evropë që ishte kategorizuar me ngjyrë vjollcë, që përbën shkallë të lartë të rre*zikut sa i takon cilësisë së ajrit.

Ndërsa ajri në qytetin e Shkupit ishte definuar me rre*zik për grupet e ndjeshme përkatësisht për të sëmurët kronikë, gratë shtatëzëna dhe fëmijët, e të tjerë.
Valentin Tasevki, aktivist për mbrojtjen e ambientit jetësor si shumë problematike e sheh mosveprimin e inspektoratit ndaj të gjithë atyre që ndotin ajrin.

“Inspektorati, pasi të ketë verifikuar gjendjen faktike duhet të veprojë nëse kompani të caktuara punojnë në bazë të licencave të marra dhe e dyta nevojitet monitorim i vazhdueshëm i të njëjtave, sepse çdo kush kur e din se nuk kontrollohet vendos përpara përfitimin në vend të kujdesit për ambientin”, thotë Tasevski.

Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror në Maqedoninë e Veriut, Ana Petkovska thotë se në 37 komuna të vendit mungojnë inspektorët.
“Bëhet fjalë për inspektorë të cilët i angazhojnë komunat, kryetarët e komunave dhe mund të them se diku në 37 komuna mungon inspektori i autorizuar, kështu që kemi problem serioz për sa i takon kontrollit të ndotësve”, thotë Petkovska.

Në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, mbi 1600 persona në Maqedoninë e Veriut, vdesin si pasojë e ajrit të ndotur.
Mjekët në Maqedoninë e Veriut kanë ndezur alarmin se ndotja e ajrit ka rritur numrin e fëmijëve të sëmurë edhe jashtë sezonit të gripit.
Ata thonë se gjithnjë e më shumë fëmijë vuajnë pasojat e ajrit të ndotur, përfshirë pasojat që shkakton ajri i ndotur në zhvillimin e trurit të fëmijëve.

Bllagica Mançeva mjeke pulmologe thotë se ajri i ndotur bën që fëmijët të jenë më të ekspozuar nga rreziku i infeksioneve të ndryshme në mushkëri.
“Gjithnjë e më të shpeshta janë infeksionet në organet respiratore, prindërit i sjellin fëmijët me sekret të hundëve, pastaj sy të skuqur, kollitje,… por në anën tjetër pa u konstatuar se bëhet fjalë për virus apo baterie, dhe kjo është si rrjedhojë e pranisë së shtuar të grimcave PM në ajër”, thekson mjekja Bllagica Mançeva duke shtuar se ajri i ndotur godet edhe në zhvillimin e trurit tek fëmijët.