KMDLNJ: Presidentja Osmani shkeli Kushtetutën kur dekoroi Dua Lipën

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj dekorimit të këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, si “Ambasadore Nderi e Kosovës”, duke thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë shkelje ligjore për shkak se “ka përdorur Zyrën për promovime personale dhe familjare”.

Në kumtesën e KMLDNJ-së thuhet se shefja e shtetit e ka shndërruar takimin me Dua Lipën në ngjarje private e personale, pasi prezentë qenë edhe bashkëshorti bashkë me vajzat e saj. Tutje thuhet se vula e ish-presidentit Ibrahim Rugova nuk është simbol i autorizuar ligjërisht. Për përdorimin e kësaj vule, KMDLNJ-ja ka kërkuar që ky rast të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sepse sipas tyre paraqet shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës.

“Nëse e shihni tekstin e titullit që i ndahet znj. Dua Lipës, e shihni se në anën e djathtë të këtij titulli është një simbol që njihet si Vula e Presidentit Rugova e që identifikohet me një subjekt politik e që është LDK-ja e konsideron si të vetin. Është e vërtetë e madhe se ky simbol – Vula e Presidentit, nuk është simbol i autorizuar ligjërisht, andaj konsiderohet si simbol privat ose personal. Sipas njohësve të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, simbolet e një partie politike (në rastin konkret simbolet e LDK-së) nuk guxojnë të përdoren në dekretet dhe në asnjë dokument të presidentit të Republikës, sepse prish parametrat e neneve 80 – 81 të Kushtetutës që kërkojnë nga ajo/ai të kenë një qëndrim neutral në çështjet politike dhe të përfaqësojë unitetin e popullit e jo të një partie politike”, thuhet ndër të tjera.

Po ashtu, në reagimin e tyre është përmendur edhe disenjatori i njohur Vladrin Sahiti, i cili përkujdeset për veshjen e presidentes Osmani, duke thënë se atij paligjshëm i është ndarë pasaporta diplomatike. KMDLNJ-ja ka kërkuar nga Sahiti ta kthejë pasaportën.