Klubi i shahut “Anpasan” nga Tetova u kualifikua në ligë të parë

Në mars të vitit 2019 në Tetovë u themelua klubi i shahut “Anpasan” me iniciativë të disa dashamirësve të shahut, në krye me kryetarin Nazmidin Imeri dhe sekretarin e klubit Florian Nesimi. Në kampionatin e mbajtur prej më 21 deri 24 gusht të këtij viti, u arritën 5 fitore radhazi nga ana e klubit me çka u kualifikuan në ligën e parë, të RMV. Por, për funksionim të mirëfilltë të klubit të shahut nevojiten mjete themelore financiare, të cilat prej vitit 2019 janë kërkuar nga Komuna e Tetovës dhe nuk janë siguruar, deklaroi Florian Nesimi për Portalb.mk.

Ky klub u themelua me qëllim që të bëhet institucionalizim i shahut në Tetovë, për shkak se luhet shumë si lojë nëpër kafene e tubime të tjera. Ndërkaq, si qëllim primar i këtij klubi ka qenë përparimi dhe arritja e rezultateve të qytetarëve të Tetovës në lojën e shahut.
Në vitin 2019 klubi mori pjesë në kampionatin në ligën e dytë ku arritën të zënë vendin e tretë por, i pamjaftueshëm për t’u kualifikuar në ligën e parë. Ndërsa, këtë vit në kampionatin e mbajtur në qytetin e Ohrit arritën 5 fitore radhazi dhe u kualifikuan në ligën e parë, gjë që paraqet sukses të madh për qytetin e Tetovës.

Sekretari i këtij klubi Florian Nesimi deklaroi se që prej vitit 2019 kanë kërkuar mjete themelore financiare për funksionim të klubit nga Komuna e Tetovës por, nuk janë siguruar.
“Për funksionim të mirëfillte të klubit të shahut nevojiten mjete themelore financiare. Gjatë vitit 2019 disa herë kemi kërkuar nga komuna sigurimin e mjeteve themelore financiare për pjesëmarrje në garat e ligës së dytë, por fatkeqësisht asnjëherë nuk morëm përgjigje pozitive. Edhe në garat e fundit në të cilat arritëm suksesin historik nuk patëm mbështetje institucionale nga ana e Komunës”- deklaroi Florian Nesimi.

Gjithashtu, Nesimi deklaroi se ndihma financiare nga ana e Komunës është e domosdoshme.
“Mbështetja për klubin e shahut dhe shahistët duhet të jetë një mbështetje nga institucionet lokale, sepse tek e fundit shahu nuk është një sport fitimprurës, por secili klub i shahut identifikohet me qytetin prej nga vjen, ndërsa ne arritëm që në mënyrë dinjitoze të përfaqësojmë qytetin e Tetovës. Nëse jo për ligën e dytë, për garim në ligën e parë ndihma nga Komuna është e domosdoshme”- deklaroi Floriani.

Deri në këto momente klubi ka funksionuar falë tre biznesmenëve privatë të cilët janë dashamirë të lojës së shahut.
Ndryshe, këtë vit klubi i shahut është përforcuar me kampionin e shahut të Republikës së Shqipërisë, mjeshtrin ndërkombëtarë Landi Pasku, bashkë me një lojtar tjetër nga Shqipëria, Elvis Kola dhe mjeshtrin e shahut nga Shkupi, Aleksandar Kralevski./Portalb