Klitschko i bashkohet ushtrisë: Tashmë jemi në luftë

Kryetari i bashkësisë së Kievit dhe ish-kampioni botëror i boksit, Vitali Klitschko, iu bashkua ushtrisë ukrainase dhe u bëri thirrje zyrtarëve të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.

Klitschko iu bashkua stërvitjeve të mbrojtjes territoriale të Kievit dhe me atë rast ka thënë se vendi i tij tashmë ishte në luftë.

“Shumë prej nesh kanë shërbyer në ushtri dhe këto aftësi duhet të rikthehen. Mendoj se një trajnim i tillë është thelbësor për zyrtarët e rangut të mesëm dhe të lartë në një vend që ka qenë në luftë për tetë vjet”, ka thënë Klitschko për Telegraph.

Pyetja se si dhe pse Klitschko vendosi të bashkohej me ushtarinë ishte e pashmangshme.

“Unë mendoj se këto janë tipare të karakterit të përbashkët nga të gjithë atletët. Vetëdisiplina, përpikëria, këmbëngulja dhe një ndjenjë e fortë përqendrimi janë parimet kryesore që ju ndihmojnë të keni sukses, pavarësisht se çfarë pune bëni”, shpjegoi boksieri legjendar.

Në fund ai shtoi se ndihma e miqve është e një rëndësie të madhe për Ukrainën dhe falë lidhjeve të tij, ai vend ka bërë shumë partneritete.

“Lidhjet e mia janë një ndihmë e madhe dhe më japin një avantazh të madh, sepse Ukraina nuk mund t’i kapërcejë sfidat e vështira me të cilat përballet pa miq dhe partnerë të besueshëm”, përfundoi kryebashkiaku i Kievit.

Ukraina dhe Rusia vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara, pavarësisht se SHBA-ja ka paralajmëruar rusët se në rast të një lufte të mundshme për pushtimin e territorit ukrainas mund të përballen me sanksione të mëdha.