Kjo është artistja 20 vjeçare që krijoi skulpturën e njeriut të rezistencës që zgjoi debat në Kosovë

Skulptorja 20 vjeçare, Eliza Shala, ka vendosur skulpturën e saj “Këmbëkryq”në Prishtinë, ku ka treguar domethënien që fshihet pas kësaj vepre artistike.

Shala ka thënë skulptura përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë e protestuesit Faik Rexhepi në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990 ndaj trupave të regjimit serb, raproton Gazeta10.

“Këmbëkryq quhet skulptura e cila përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë, përmes ngjarjeve historike që mishërohen me këtë gjest. Në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990, në rrëmujën e ndjekjes nga policia e regjimit serb, protestuesi Faik Rexhepi ulet këmbëkryq duke peshuar kokën në dorë, me të vetmen shpresë e besim në mrekulli, se ai do të lihej i qetë në të drejtën e tij. Një dritëshkronjë e shkrepur nga fotografi Hazir Reka do ta vuloste përgjithmonë këtë çast që përmbledhi gjithë pështjellimin e kohërave tona. Me anë të kësaj skulpture, këtë 28 Nëntor, ai, protestuesi, rikthehet, tashmë i papenguar dhe i mirëpritur, ta gëzoj të drejtën për tu ulur këmbëkryq, në vendin e tij.”, është shprehur skulptorja.

Vepra është realizuar në kuadër të KnKub Heritage financuar nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Kulturës.