Kjo është Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, ka filluar të shpërndahet, edhe pse pamja e saj deri më sot nuk është zbuluar. Sidoqoftë, bazuar në foto të dërguara nga shtëpia botuese “Dukagjini” për RTKlive, shihet e Abetarja Kosovë-Shqipëri, është shtypur dhe pritet të jetë në duart e nxënësve.

Nga kjo shtëpi botuese thonë se Abetarja e përbashkët është gati dhe e njëjta ka filluar të shpërndahet sot, ndonëse gjatë dy ditëve të fundit, RTK nga shumë burime, ka bërë përpjekje të mësojë se deri ku ka mbërritur procesi i përgatitjes së saj. Megjithatë, nga kjo shtëpi botuese thonë se fillimisht, e njëjta ka nisur të shpërndahet në shkollat e fshatrave të vendit.

Sipas kësaj shtëpie botuese, Abetarja e përbashkët do të shpërndahet gjatë fundjavës në shkollat e kryeqytetit. Sqarimi i kësaj shtëpie botuese e cila krahas asaj “Pegi” në Tiranë janë fituese për shtypjen e Abetares, erdhi pas lajmit të publikuar në RTKlive se Abetarja e përbashkët nuk është shpërndarë e për më tepër, nuk dihet as pamja e saj.

Ndërkohë, Edona Kurleshi nga Zyra për Informim në Ministrinë e Arsimit, nëpërmjet telefonit tha për RTK- në se shpërndarja e Abetares nëpër shkolla është duke u jetësuar. Megjithatë, nga MASHT-i nuk kanë dhënë informacione se në cilat shkolla apo në cilat komuna është duke u shpërndarë Abetarja e re.

Gjatë dy ditëve të fundit, RTK është përpjekur të mësojë nga Ministria e Arsimit në Kosovë, ajo në Shqipëri, shtëpitë botuese dhe autorë të ndryshëm se çfarë është duke ndodhur me Abetaren e re. Por në të gjitha rastet, nuk janë dhënë sqarime zyrtare. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në deklarim për Radio Kosovën, tha se Abetarja tanimë ka përfunduar dhe pritet edhe shpërndarja e saj nëpër shkolla.

“Ne kemi pasur kujdes, sepse kalendari i fillimit të vitit shkollor nuk është i njëjtë në Kosovë dhe Shqipëri dhe kemi kërkuar që puna të përfundojë me herët, në mënyrë që Abetarja të jetë e gatshme për 1 shtator, kur edhe zyrtarisht fillon mësimi në Kosovë”, tha Pupovci. Ndërkohë, RTKlive sot gjatë pasdites ka kontaktuar me disa Drejtori të Arsimit në komunat e vendit.

Kështu, në tri shkolla të fshatrave në Vushtrri, si në Pestovë, Maxhunaj dhe Vilanc, ka mbërritur Abetarja e përbashkët. Në anën tjetër, siç njoftojnë korrespodentët e RTK-së, në Gjakovë ende nuk ka mbërritur Abetarja e përbashkët ashtu siç nuk ka mbërritur as në Deçan. Gjithashtu, sipas informacioneve të fundit, Abetarja e përbashkët nuk ka mbërritur as në Ferizaj.

Zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë thanë për RTK-në se pritet që ajo të shpërndahet me 1 shtator. RTK ka konfirmuar nga DKA në Prizren se as në këtë komunë dhe këtë rajon, Abetarja e përbashkët ende nuk ka mbërritur. Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri është dakordim i qeverive të të dy shteteve. Nga ky vit shkollor, pritet të fillojë edhe mësimi nga e njëjta Abetare.