Një vajzë 19-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën gjatë një aksidenti trafiku mbrëmjen e kaluar në veri të Italisë, përkatësisht në Guastalla të Reggio Emilia.
Viktima është 19-vjeçarja nga Gostivari Arijana Seferi, e cila në momentin fatal të aksidentit që ndodhi dje rreth orës 18 ka qenë duke udhëtuar me makinë bashkë me babanë e saj.
Në përplasjen fatale janë përfshirë dy automjete, një Fiat Multipla drejtuar nga një 53-vjeçar nga Guastalla dhe një Fiat Bravo me të cilin udhëtonin baba e bijë me prejardhje nga Gostivari, 41 dhe 19 vjeç, rezidentë në Villarota.
Nga përplasja e fortë automjetet kanë përfunduar jashtë autostradës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë tre automjete të Kryqit të Kuq, një ekip mjekësh dhe një ekip zjarrfikësish për të transportuar të aksidentuarit drejt qendrave spitalore.
Të lënduarit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Guastallës por, fatkeqësisht, Arijana nuk ia ka dalë t’u mbijetoj plagëve të marra dhe ka gjetur vdekjen në spital.
Siç njoftojnë mediat lokale italiane, Arijana ka qenë një vajzë shembullore në regjionin italian dhe një nga studentet më të dalluara.