Kishte regjistruar veturën e Sheval Muaremin pa qenë ai prezent, MPB ngre procedurë disiplinore ndaj disa të punësuarve


Përgjegjësi disiplinore për një zyrtar i cili ka regjistruar një mjet motorik pa praninë e pronarit dhe tre persona që nuk kanë konstatuar lëshimet në stacionin e kontrollit teknik është përcaktuar nga kontrolli i brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, transmeton NetPress.

Sipas informacioneve, Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime penale dhe standarde profesionale ka dërguar njoftim në prokurorinë publike dhe ka përgatitur propozim për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj personit R.I. në detyrën nëpunëse në stacionin e kontrollit teknik, shton burimi.

“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së, ka vepruar me njoftimin e dërguar nga Departamenti i Policisë Kriminale, sipas të cilit kanë vepruar me urdhër të Gjykatës Themelore Penale për konfiskimin e një veture në pronësi nga personi F.K. nga fshati Gërçec. Gjatë kontrolleve të tyre u konstatua se mjeti ishte regjistruar në mungesë të pronarit, pra për një periudhë kohore, gjatë së cilës, sipas kontrolleve, personi F.K. ishte jashtë kufijve të shtetit. Nga kontrollet e bëra nga shërbimet kompetente është konstatuar se nga zyrtari R.I. – zyrtar i stacionit të kontrollit teknik me vendndodhje në Saraj-Gllumovë, është bërë regjistrimi dhe ndërrimi i targave të mjetit motorik, në mungesë të pronarit, me të cilin R.I. ka kryer shkelje të rëndë të rendit dhe disiplinës së punës dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Automjete dhe Rregulloren për Regjistrimin e Mjeteve Motorike”, thuhet në informacion.

Gjithashtu, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Penale dhe Standardeve Profesionale ka paraqitur propozim për vendosjen e përgjegjësisë disiplinore ndaj tre personave G.P. shefi i departamentit, V.N. Kryeinspektori dhe L.M.B. kryeinspektori i trafikut, i cili gjatë kontrollit në stacionin e kontrollit teknik nuk ka vepruar sipas inventarizimit dhe përshkrimit të vendeve të punës dhe nuk ka konstatuar lëshimet e stacionit të kontrollit teknik, raportojnë mediat.

Dyshimet e policisë, thonë nga atje, janë se pronar i vërtetë i këtij automjeti të shtrenjtë dhe luksoz është personi Sheval Muaremi, i cili aktualisht është në arrati dhe për të cilin policia maqedonase ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar.